Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se Kosovës i duhet një lidership, siç ishte presidenti amerikan John Kennedy, i zotuar për t’u shërbyer interesave të vendit. Por kjo i takon qytetarëve që të kërkojnë llojin e lidershipit politik për të ardhmen e Kosovës.
Këto komente ambasadori Delawie i ka bërë gjatë hapjes së ekspozitës me foto “Vizionari amerikan: Jeta dhe koha e John F. Kennedy”, e organizuar nga Ambasada amerikane në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori amerikan, Greg Delawie, iu drejtua të pranishmëve, duke thënë se këto fotografi paraqesin frymëzimin e presidentit Kennedy.
“Disa mund ta quajnë edhe udhërrëfyes tonin etik, çdo ditë që vijmë në punë, unë ia kam kushtuar karrierën time, po ashtu edhe kolegët e mi, shërbimit për popullin amerikan dhe qeverive që ata i kanë zgjedhur. Ka mbi 30 vjet që e kam përqafuar faktin që shërbimi publik është vetëm kaq-shërbim ndaj popullit”, tha ai.
“Kosova ka nevojë për më shumë shërbyes publikë dhe liderë politikë si ky individë të zotuar për t’u shërbyer interesave të vendit të tyre, mbi të gjitha, liderë të gjykimit, përkushtimit, integritetit, dhe mbi të gjitha, guximit. Kjo ju takon qytetarëve, shefit, siç ka thirrur presidenti Kennedy, ju takon juve që ta kërkoni llojin e lidershipit politik që e meritoni. Jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Delawie.
“Kennedy besonte me pasion në sistemin demokratik, ku secili qytetar, prej presidentit deri tek punëtori kishte një rol vendimtar… Në një demokraci, presidentit Kennedy i pëlqente të thoshte, secili qytetar, pavarësisht interesit të tij në politikë mban një detyrë; secili prej nesh është në një pozitë me përgjegjësi; dhe lloji i qeverisë që marrim varet nga mënyra si i përmbushim ato përgjegjësi. Ne populli jemi shefi, dhe ne do të marrin atë lloj lidershipi politik, qoftë në të mirë apo në të keq, që e kërkojmë dhe e meritojmë”, tha Delawie.