Një delegacion gjerman në Kosovë vlerëson kriteret për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Zyra e Kryeministrit, për këto dy ditë ishte nikoqire e vizitës së delegacionit nga Gjermania, konkretisht Ministrisë Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe, për çështjen e liberalizmit të vizave.


Ky proces që ka derivuar nga dakordimi i Kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, ka për qëllim harmonizimin e procesit të vizave në kuadër të Bashkimit Evropian.


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Ministrisë Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe kanë zhvilluar një seri takimesh në nivel ekspertësh, për të diskutuar për punën e institucioneve tona, të arriturat dhe përafrimit të proceseve në çështjen e liberalizimit të vizave.


Takimet e 26 dhe 27 nëntorit në Prishtinë, kanë shtjelluar temat dhe aspektet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimin e kufijve dhe migrimit.

Ekspertët kosovarë, përfaqësues nga Institucionet e Republikës së Kosovës, si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Polica e Kosovës, Agjencia e Regjistrimit Civil, Agjencia Kundër Korrupsionit, kanë prezantuar para delegacionit gjerman, të gjitha procedurat dhe të arriturat e Kosovës, në temat të cilat lidhen me këtë proces.


Delegacioni gjerman, ka parë për së afërmi edhe punën dhe sigurinë që ofrohet në prodhimin e dokumenteve identifikuese, teknologjinë, procedurat dhe sigurinë e lartë në gjithë këtë proces.

Bisedat në nivel ekspertësh në Prishtinë janë mbajtur në një atmosferë konstruktive dhe nga pjesëmarrësit janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm për përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Takimet e nëntorit në Prishtinë, kanë pasuar pas takimeve që ka zhvilluar delegacioni kosovar në fillim të muajit qershor në Berlin.

Ky proces bashkëpunimi, ka nisur pas kërkesës së Kryeministrit në detyrë Haradinaj, që shteti Gjerman, konkretisht ekspertët e kësaj fushe nga Ministria e Brendshme, ta vizitojnë Kosovën për të parë në realitet punën e bërë.


Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Procesi i nisur, bilateral me Gjermaninë po bëhet me qëllim të identifikimit të arriturave dhe punës që Kosova e bënë, veçmas në ofrimin e sigurisë, për temat si menaxhimi i kufijve, migrimi, menaxhimi i Qendrës për prodhimin e dokumentacioneve, Policisë së Kosovës, Prokurorisë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme