Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Xhavit Haliti, Ismet Beqiri, Aida Dërguti, Mufera Shinik dhe Gani Dreshaj, po qëndron në Strasburg, ku po ndjek punimet e Sesionit të Dytë të Rregullt, që po mbahet nga data 23-27 prill 2018.
Gjatë Sesionit, delegacioni ka takuar kryetaren e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Ria Oomen-Ruijten dhe Raportuesin për Kosovën, Jordi Roca. Temë diskutimi në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës.
Çështjet e ngritura nga kryetarja e këtij Komisioni ishin arrestimi i zyrtarit serb, Marko Gjuriq dhe deportimi i shtetasve turq. Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës ceku të arriturat e Kosovës nga muaji janar, kur është mbajtur Sesioni i Parë i Rregullt si dhe argumetoi arrestimin e z. Gjuriq dhe deportimin e shtetasve turq.
Anëtarët e delegacionit nga Kuvendi i Serbisë, nga ana e tyre, ngritën shqetësimet lidhur me arrestimin e zyrtarit të qeverise serbe, Gjuriq, gjatë qëndrimit në Kosovë dhe trajtimin e tij gjatë arrestimit.
Gjate sesionit, në të cilin diskutohen raporte lidhur me çështjet aktuale me të cilat po përballet Evropa, adresuan ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov dhe Sekretari Gjeneral i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland.
Tema lidhur me situatën në Kosovë do te diskutohet me datë 22 maj 2018 në takimin e këtij Komisioni, që do të mbahet në Athinë, Greqi.
Delegacioni i Kuvendit po zhvillon takime edhe me delegacione të ndryshme të cilat kanë interesim për t’u informuar për situatën në Kosovë dhe për ndërtimin e raporteve bilaterale në mes të Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve të vendeve që janë anëtare të AP të Këshillit të Evropës. Sot, delegacioni do të ketë takim me Presidentin e APKiE-së, Michele Nicoletti, si dhe me Sekretarin Gjeneral të APKiE-së, Wojciech Sawicki.