Dje në një komunikate për media ,Vetëvendosja u ka dhënë instruksione shqiptarëve në Gjermani që të votojnë për partitë e majta, kundër partive të djathta, kështu duke sugjeruar që vota e tyre të shkojë kundër Angela Merkelit.
Ndaj kësaj kërkese gjatë ditës së sotme ka pasur disa reagime. Deputetja e PDK-se Blerta Deliu e sheh këtë si një arrogancë të pakufi të Vetëvendosjes.
Deliu ka kujtuar rolin e rëndësishëm të kancelares Merkel dhe ndihmën që ajo i ka dhënë Kosovës, dhe po vazhdon t’i japë duke ushtruar presion mbi institucionet serbe për njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Ajo tutje thotë se Kosova s’ka nevojë për parti majtise pasi ka kujtime të tmerrshme nga socializmi e komunizmi.
Postimi i plotë i Deliu-Kodrës:
Arroganca e VV nuk paska kufij!
Thirrja që kjo parti u’a ka bërë bashkëatdhetarëve në Gjermani që të votojnë partitë majtiste e jo partinë e kancelares Angela Merkel, CDU, është treguesi më i mirë i radhës i VV-së se në çfarë drejtimi do ta dërgonin Kosovën nëse ndonjëherë vijnë në pushtet.
Kosovës nuk i duhen orientimet majtiste e asesi ato majtiste ekstreme siç është VV-ja. Kosova e ka provuar socializmin dhe komunizmin dhe jemi dëshmitarë të përjetimeve të tmerrshme të asaj kohe. Kosovës i duhet punë e madhe, zhvillimi i sektorit privat që është çelës i zhdukjes së krimit dhe korrupcionit, zhvillimit ekonomik dhe zhdukjes së papunësisë. Kancelarja Merkel e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe po i bën presion të madh Vuçiçit për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Prandaj, thirrja e VV për të votuar majtistët e jo kristiandemokratët e Merkel është mjaft e dëmshme për zhvillimet e ardhshme në Republikën tonë.
Bashkatdhetarëve u bëj thirrje që votojnë me bindjen e tyre dhe mos të ndikohen nga thirrja e partisë Vetëvendosje, pasi që janë ata që jetojnë në Gjermani dhe që e dinë më së miri kë duhet ta votojnë.