Pavarësisht zotimeve të vazhdueshme për korrigjim të vijës kufitare me Malin e Zi, pala kosovare ende nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të kësaj. Së fundi lideri i LVV-së Albin Kurti ka thënë se do të punojë për një gjë të tillë, por vlerësohet se rishikimi i kufirit më shumë mbetet një shpresë për Kosovën sesa një realitet që mund të ndodhë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë prejse Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar më 2015-n, ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Pavarësisht zotimeve të vazhdueshme për rishikim të vijës kufitare mes dy vendeve, rreth kësaj çështjeje nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret deri më sot. Më 21 mars 2018 Marrëveshja e Demarkacionit kaloi me 2/3 e votave të deputetëve. Disa prej deputetëve që e kundërshtonin atë votuan vetëm pasi marrëveshjes iu bashkëngjit edhe një deklaratë e nënshkruar nga dy presidentët e shteteve përkatëse, Hashim Thaçi (Kosovë) dhe Filip Vujanoviq (Mal i Zi).
Në këtë deklaratë, e cila u proklamua si aneks-marrëveshje, thuhej se palët pajtohen për formimin e një trupi të përbashkët punues, që do t’i identifikojë dhe do t’i adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit.