Demarkacioni në ballafaqim

Prishtinë | 03 Gus 2016 | 08:04 | Nga

Debat maratonik është paralajmëruar të zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Debati i ashtuquajtur shkencor vjen gati një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes, e cila bashkë me marrëveshjen tjetër për Asociacionin e komunave me shumicë të serbëve kishte shkaktuar ngërç dhe bllokadë për disa muaj në institucionin më të lartë ligjvënës.

Përveç ballafaqimit të argumenteve pro dhe kundër versionit aktual të marrëveshjes, ka skepticizëm se ky debat do të ndryshojë diçka.

Kjo mbështetet edhe në deklaratat e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa, të cilët kanë përjashtuar çdo mundësi të ndërhyjnë në ujdinë e arritur me shtetin malazez.

Por iniciuesit e debatit, që janë edhe kundër versionit qeveritar shpresojnë që argumentet e tyre të ndikojnë në vendimin final të deputetëve, prej të cilëve do të kërkohet ratifikimi i marrëveshjes.

Debati i shumëpritur për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të fillojë në orën 10 në sallën alternative të Kuvendit. Sipas agjendës, fjalën hyrëse do ta ketë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Megjithëse nuk është konfirmuar nga presidenca dhe kryeministria, iniciuesi i debatit Shpejtim Bulliqi ka thënë se fjalim do të mbajnë edhe Thaçi e Mustafa. Të pranishmëve do t’u drejtohet edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie./KD/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme