Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismaili ka thënë se në këtëkomunë, shiu ka shkaktuar dëme të mëdha. Ai tha se ende nuk kanë bërë vlerësimin e dëmeve, por se konsiderojnë se janë të mëdha.
“Ka shumë dëme. Janë dëmtuar shumë toka bujqësore. Ende nuk e kemi vlerësuar se sa janë dëmet. Nga e hëna do të mblidhet komisioni që do t’i vlerësojë dëmet. Mund të themi se janë dëme të mëdha e sidomos në fushën e bujqësisë”, ka thënë Ismaili në emisionin “Frontal” në T7.
Ismaili konfirmoi se për shkak së gjendjes së vështirë financiare në të cilën gjendet komuna, kanë kërkuar ndihmë nga qeveria dhe nga ministritë përkatëse për t’u dal në ndihmë qytetarëve.
“Ka pasur dëme edhe në shtëpi të banimit dhe në Infrastrukturë. U kemi bërë thirrje qeverisë dhe ministrive që të na ndalin në ndihmë për sanimin e këtyre dëmeve. Komuna ka vështirësi buxhetore, e sidomos tani në kohën e pandemisë. Nuk e kemi komoditetin financiar që t’u dalim në ndihmë banorëve”, ka thënë ai.
Si pasojë e reshjeve të shiut, nënkryetari Ismaili deklaroi se edhe jeta e qytetarëve ka qenë në rrezik.
“Rreziku ka qenë i madh, ekipet tona kanë evokuar një numër të konsiderueshme të qytetarëve që kanë mbetur të bllokuar në shtëpinë e yre. Nuk kemi banorë që e kanë humbur jetën. Për dëmet materiale po punojmë intenzivisht që t’i menaxhojmë”, ka thënë ai.