Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk po gjejnë një formulë për të formuar qeverinë.
Të dy palët po deklarojnë arsyet e mosarritjes së marrëveshjes. Por drejtori ekzekutiv nw organizatës Çohu, Artan Demhasaj në një intervistë për Ekonomia Online thotë se nuk janë pozitat që po i ndajnë këto dy parti, por procesi i dialogut me Serbinë.
Demhasaj thotë se për këtë qëllim erdhi edhe ambasadori Grenell, i cili vuri në pah rëndësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e dimë dje është zhvilluar një vizitë shumë e rëndësishme, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Berlin, z, Grenell që ke në Prishtinë, u takua me presidentin dhe njëkohësisht u takua edhe me dy liderët e dy forcave politike që kanë dalë të parët në zgjedhje. Nëse z.Grenell dje ka marrë sinjale pozitive nga VV-ja edhe nga LDK-ja që janë të gatshme edhe kanë vullnet dhe guxim politik që me hy këtij procesi dhe shumë shpejt me pas një marrëveshje, atëherë edhe pritet që shumë shpejt me pas një marrëveshje të koalicionit mes këtyre dy subjekteve politike”, thotë Demhasaj.
Sipas tij, çështja e krijimit apo jo e qeverisë nuk është e varur shumë me pozitat të cilat janë përmendur në publik, por që çështja ka qenë te dialogu.
“Çështja ka qenë te dialogu dhe ka qenë pikërisht se a janë të gatshëm apo jo VV-ja dhe LDK-ja që në një periudhë shumë të shpejtë me hy në një proces dialogues me Serbinë, edhe që potencialisht edhe me arrit një marrëveshje. Kjo ka qenë të themi ajo çështja që i ka dalluar këto dy subjekte politike dhe kjo e ka pamundësuar edhe arritjen e një koalicionit”, theksoi ai.
Demhasaj thotë se në kuadër të çështjes së dialogut, lidhet edhe afati i LDK-së për të pasur një marrëveshje potenciale të koalicionit dhe nëse gjithçka është e qartë për këtë, atëherë marrëveshja mund të ndodh me apo pa Glauk Konjufcën kryetar kuvendi.
“Kjo shihet se nëse i analizojmë procesin pak më larg e shohim që klima e negociatave mes VV-së dhe LDK-së ka qenë shumë më e qetë, dhe shumë më stabile derisa nuk ka ndodhur një vizitë e zyrtarëve të lartë të LDK-së në Berlin. Kur ka ndodhur kjo, kemi pa një ashpërsim të gjuhës së LDK-së që lidhet me kërkesat që këta i kanë vendosur për me pas një marrëveshje koalicioni me VV-në. Dhe tash, nëse kjo ka ndryshuar pra diskursit politik i këtyre dy forcave politike për çështjen e dialogut, atëherë gjitha mospajtimet tjera mund të tejkalohen dhe marrëveshja e koalicionit mund të arrihet sepse shtohet masa e presionit edhe te LDK-ja por edhe te VV-ja që me lëshua pe në këto pikat që këta kanë ngulur këmbë dhe gjithçka mund të jetë e arritshme”, theksoi ai.
Sipas tij, nëse VV-ja nuk pranon të hyjë në proces dialogues e që nënkupton edhe heqjen e taksës, atëherë marrëveshja për formimin e qeverisë me LDK-në mund të dështojë.
“Në rast se VV-ja nuk pajtohet me hy në proces dialogues, që nënkupton edhe heqjen e taksës edhe gjitha kërkesat që kenë shumë eksplicite, atëherë edhe mundet me dështua marrëveshja me LDK-në, VV-ja mundet me provua vetë qeverinë në Kuvend. Nëse dështon, atëherë vjen në pyetje mandatari i dytë që i ka 10 ditë kushtetuese për me krijua qeverinë, e që atëherë mund të vijnë kombinime të tjera, LDK me parti tjera dhe ndoshta mund ta krijojnë qeverinë, nëse dështon ky tentimi i parë” shtoi ai.
Demhasaj thotë se është kundër që Konjufca të japë dorëheqje, pasi që LDK-ja e ka votuar atë.
Sipas tij, LDK-ja nuk duhet të bëjë matematika të tilla, njëherë të kërkojë postin e kryeparlamentarit e pastaj ta kthejë në momentin kur merr postin e presidentit.
“Unë jam kundër kësaj, për faktin që vetë LDK-ja ka votuar z.Konjufca dhe ka marrë diku 75 vota dhe nga forca tjera politike dhe një situatë e tillë, kur luhet kjo loja që jep dorëheqje sot, vijmë ne në krye të parlamentit pastaj kur ne marrim presidentin e kthejmë prapë tek ju, një lojë e tillë një pazar i tillë me pozitën e kryetarit të kuvendit nuk besoj që i bën nder demokracisë as parlamentarizmit, po as Kosovës dhe as Kuvendit si institucion shumë i rëndësishëm që është direkt përfaqësues i vullnetit të popullit. Kështu që nuk po besoj që ish dashur që LDK-ja të shkojë në matematika të tilla pasi ka kombinime të tilla që mundet me ndodhë me numër më të madh të ministrive nga LDK-ja në qeveri plus presidentin që në një mënyrë apo tjetër me shkua drejt balancimit dhe barazimit të pushtetit mes këtyre dy subjekteve”, tha ai.
Afati kushtetues për bërjen e qeverisë, përfundon më 4 shkurt.