Dështoi edhe përpjekja e shtatë për konstituimin e Kuvendit, seanca vazhdon pasnesër

Prishtinë | 27 Pri 2025 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

As në vazhdimin e sotëm të seancës së filluar qysh më 15 prill nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës.

Ishte përpjekje e shtatë me radhë për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.

Edhe kësaj radhe dështoi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.  Ajo, për herë të pestë, i mori 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Kundër votuan 41 deputetë, ndërsa tre abstenuan.

Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidimi i Haxhiut për kryeparlamentare. Nga ana tjetër, opozita po e quan atë figurë përçarëse.

Seanca konstituive do të vazhdojë, më  29 prill në orën 10:00, bëri të ditur kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari.

Seanca konstituive është obligim të mbahet çdo 48 orë pas ndërprerjes.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve. 

Murati-VV: Ata që votojnë kundër zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit bëjnë bllokadë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se ata që votojnë kundër zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit bëjnë bllokadë, raporton Ekonomia Online.

 “Nuk u arrit që të realizohet me sukses konstituimi i Kuvendit. Ne si parti fituese kemi kryer obligimin tonë kushtetues, duke propozuar kandidatin dhe duke votuar për. Me votë për nuk bëhet bllokadë. Më votë kundër bëhet bllokada. Ne vazhdimësi kanë qenë 57 vota për dhe janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet pakicë. Ne sot e pamë një ndryshim që tek votat kundër pati një rënie. 46 vota kundër kanë qenë herën e kaluar, sot ishin 41 vota kundër. Ftesa ka qenë publike nga kryesuesi i seancës. Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë sa herë që na ofrojnë. Janë subjektet e tjera që kundërshtojnë dhe nuk marrin pjesë”, tha Murati.

Krasniqi-PDK: Nuk mbahet shteti peng për një njeri, Albulena Haxhiu nuk kalon!

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, tha se Vetëvendosje me forcë po dëshiron që të bëjë kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu, raporton Ekonomia Online.

Pas dështimit të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive, Krasniqi tha se kjo bllokadë është e qëllimshme nga ana e Vetëvendosjes, pasi Albin Kurti, sipas tij, nuk po mund t’i bëjë votat për kryeministër dhe me këtë rast është duke e sakrifikuar deputeten Haxhiu.

“Nuk kalon Albulena Haxhiu. Rruga e vetme drejt zhbllokimit është që ata të tërhiqen nga kandidatja. Nuk mbahet shteti peng për një njeri. Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet. Në anën tjetër, ka veprime të institucioneve, siç ka qenë rasti i ZRRE-së. Ne po e shohim se ata numrat nuk  i kanë. Bllokada është më shumë për Albin Kurtin. Së paku janë dy emra që mund të kalojnë. S’ka vota për Albin Kurtin para se gjithash. Për këtë është duke mbajtur peng këtë gjendje. Nuk na takon neve t’i themi presidentes se çka të bëjë. Ajo e ka kryer punën e vet, e ka thirrur seancën”, tha Krasniqi.

Bajrami-LDK: E vetmja zgjidhje marrëveshja politike, LDK s’e voton asnjë kandidat

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se e vetmja zgjidhje për të dalë nga ky ngërç i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është arritja e një marrëveshjeje politike, raporton Ekonomia Online.

Ajo pas seancës tha se LDK nuk do të votojë as Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër.

“Jam këtu për të shpehur shqetësimi që Vetëvendosje për herë të shtatë po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ne nuk kemi vota për Haxhiun e as për ndonjë kandidat tjetër. Konstituimi bëhet me marrëveshje politike. Po e shohim se VV edhe pse nuk i ka votat po mundohet që t’i marrë të gjitha institucionet. Ne insistojmë që duhet marrëveshje politike për t’i bërë 61 vota për kryetar të Kuvendit”, tha Bajrami.

Kadrijaj –AAK: Qëllimisht e përsërisin kandidimin e Haxhiut, kaq vota i kanë edhe për qeveri

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pas dështimit të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive, tha se për të zhbllokuar këtë situatë është e nevojshme që të përfshihet edhe presidentja Vjosa Osmani, në mënyrë që kjo çështje të mos shkojë në pafundësi, raporton Ekonomia Online.

“57 votat e famshme po përsëritën. Kaq vota i ka edhe për qeveri. Me kandidaten po do ta bllokojë. Këta qëllimshëm po e bëjnë me kandidaten. Duke e parë që Haxhiu nuk i ka votat po e përsërisin me qëllim të bllokimit të konstituimit të Kryesisë së Kuvendit që të mos kalojmë në fazën e dytë që është zgjedhja e qeverisë. Duhet të ndërhyjë edhe presidentja në bazë të përgjegjësive ligjore që ka, që të mos shkoj kjo në pafundësi”, tha Kadrijaj.

Limaj-Nisma: Shpresoj se do të reflektohet për ndërtim të një shumice në Parlament e Qeveri

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se është parë mjaftueshëm ngërçi në Kuvend dhe se tash pret reflektim që të krijohet një shumicë në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë.

“Deri sot ka pasur afat të thirret seanca. Sot po shohim njëfarë konfuzioni. Kuvendi ka pasur obligim brenda muajit të thirret. Duhet të krijohet shumica parlamentare që të zgjedhë edhe Kuvendin, edhe Qeverinë. Shpresoj që mjaftueshëm është parë dhe shtresuar dhe po shpresoj se do të reflektohet dhe do të ketë kapacitete për të ndërtuar një shumicë qeverisëse që reflektohet edhe në Parlament, edhe në Qeveri”, tha Limaj.

Të ngjashme