Iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë”, përmes përfaqësuesit të saj, Besfort Racaj, ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste të shtunën, më 21 nëntor, në orën 10:00, para Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë” paralajmëron protestë më 21 nëntor

Racaj tha se vendimi për protestë vjen pas mungesës së përgjigjes nga institucionet për kërkesën e tyre për takim, në të cilin synonin të diskutonin problemet me të cilat përballen studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe profesionistët shëndetësorë.
Ai bëri të ditur se takimi i paraparë për 13 nëntor, i caktuar nga vetë Ministria e Shëndetësisë, ishte anuluar vetëm dy ditë para mbajtjes së tij, përmes një e-maili zyrtar, me arsyetimin se agjenda e ministrit kishte ndryshuar.
“Përkundër pritjes dhe insistimit tonë për një takim me përfaqësuesit e institucioneve, përgjigjja që morëm ishte zhgënjyese. Të mërkurën që lamë pas, vetëm dy ditë para takimit të caktuar nga vetë Ministria e Shëndetësisë për datën 13 nëntor, përmes një e-maili zyrtar u njoftuam se takimi anullohej, me arsyetimin se agjenda e ministrit kishte ndryshuar. Po, takimi u anullua vetëm dy ditë para se të mbahej”, deklaroi Racaj.
Ai tha se edhe pas anulimit të takimit, iniciativa kishte ofruar edhe pesë ditë shtesë kohë për institucionet, me qëllim që të gjendej një mundësi për dialog, por deri në ditën e fundit të afatit nuk kishin marrë asnjë ftesë për takim.
“Por sot, në ditën e fundit të afatit të dhënë nga ana jonë, përsëri nuk pranuam asnjë ftesë për takim. Asnjë ftesë, asnjë përgjigje konkrete, asnjë zgjidhje. Ky është zhgënjimi ynë dhe sot, para jush, dua ta them qartë: Ne nuk mund të vazhdojmë të trokasim në dyert e institucioneve dhe të presim pafundësisht që dikush të gjejë kohë për problemet tona, sepse ndërkohë që institucionet shtyjnë takimet, jeta e njerëzve nuk pret”, u shpreh ai.
Racaj ngriti shqetësimin për mungesën e mundësive të punësimit për profesionistët e rinj shëndetësorë, duke thënë se shumë prej tyre, pavarësisht përfundimit të studimeve, stazhit dhe licencimit, nuk arrijnë të punësohen në vend.
“Të dashur qytetarë, a e dini çfarë do të thotë të studiosh shtatë vite për mjekësi, të diplomohesh, të përfundosh stazhin, të licencohesh dhe në fund të mos kesh mundësi të punësohesh? A e dini çfarë do të thotë të studiosh, të sakrifikosh vitet më të mira të rinisë, të heqësh dorë nga shumëçka me një qëllim të vetëm: t’i shërbesh vendit tënd, e në fund të detyrohesh të mendosh për largim nga vendi?”, deklaroi Racaj.
Ai tha se kjo situatë nuk është e kufizuar në raste individuale, por prek mijëra profesionistë shëndetësorë, ndërsa theksoi se pasojat i bartin edhe qytetarët që kanë nevojë për shërbime shëndetësore.
“Këto nuk janë histori të izoluara; këto janë realiteti i mijëra profesionistëve shëndetësorë në Republikën e Kosovës. Dhe përtej tyre qëndrojnë qytetarët tanë: qytetarë që presin me muaj e vite për një termin, mbi 12,000 pacientë në listat e pritjes vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, familje që kërkojnë shërbime shëndetësore dhe forcojnë ballafaqimin me mungesë të shërbimeve elementare, pacientë që kanë nevojë për mjek, infermier, stomatolog, farmacist e fizioterapeut”, tha ai.
Sipas Racajt, iniciativa nuk ka për qëllim vetëm të kërkojë zgjidhje për çështjet e punësimit, pagave, specializimeve dhe stazhit, por edhe të kontribuojë në përmirësimin e perspektivës së sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Ne nuk dëshirojmë të largohemi, ne dëshirojmë të qëndrojmë, ne duam të punojmë në Kosovë, duam të specializohemi në Kosovë, duam të ndërtojmë karrierën tonë në Kosovë, duam që dijen dhe përvojën tonë t’ia kushtojmë qytetarëve të këtij vendi. Po për këtë, na duhet një sistem që na jep mundësi, na trajton me dinjitet dhe na garanton perspektivë”, deklaroi ai.
Në fund, Racaj bëri të ditur se protesta do të mbahet të shtunën, më 21 nëntor, në orën 10:00, para Ministrisë së Shëndetësisë.
“Prandaj, në emër të studentëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, sot shpallim publikisht thirrje për protestë: të shtunën, më 21 nëntor, në ora 10:00, para Ministrisë së Shëndetësisë”, përfundoi Racaj.
















