Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot me datën 16.11.2026 me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet A.B. i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Arrestohet një udhëheqës divizioni në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Me këto veprime i dyshuari A.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e zhvilluara, i dyshuari A.B., në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrave të tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete dhe personave të tjerë, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive, duke vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje’’.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, personi me inicialet M.B. shtetas i Serbisë i cili aktualisht ndodhet në arrati, i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë. Prona në fjalë ka në sipërfaqe prej 55.89 m², dhe gjendet në Zonën Kadastrale në Matiçan”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim















