Ekonomia Online
FUNDIT

Rizvanolli e quan skandaloze interpretimin e këngës nacionaliste në Bruksel

Rizvanolli e quan skandaloze interpretimin e këngës nacionaliste në Bruksel

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka cilësuar si skandaloze dhe tronditëse interpretimin e këngës nacionaliste në një koncert të mbajtur para Forumit të Rritjes në Bruksel. Duke folur për këtë incident, Rizvanolli ka thënë se ngjarja është tronditëse jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjithë ata në rajon që janë prekur nga luftërat nacionaliste të Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se pavarësisht kërkimfaljes së komisioneres evropiane, Marta Kos për këtë çështje duhet të ketë një hetim të plotë, në mënyrë që të kuptohet se si dhe pse ka ndodhur.

“Do ta quaja skandaloze atë çfarë ka ndodhur dhe tronditëse për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm shqiptarët, për të gjithë ata në rajon që janë prekur nga luftërat nacionaliste të Serbisë. Për këtë çështje kanë reaguar, siç e keni parë, ambasadori në Bruksel, zoti Agron Bajrami, si dhe kryenegociatori me BE-në, Jeton Zulfaj. Ne e kemi parë këtë kërkim falje, megjithatë po presim që për këtë çështje të ketë një hetim deri në fund, për të parë se si dhe pse ka ardhur deri këtu. E çmojmë reagimin e komisioneres dhe kërkimfaljen e komisioneres Kos. Megjithatë, konsiderojmë që duhet të shihet, duhet të hetohet se si ka ardhur deri te kjo”, tha Rizvanolli.

Ministrja është pyetur edhe për masat që po ndërmerr Qeveria për të parandaluar rritjen e kostos së furnizimit me energji elektrike, duke thënë se institucionet janë duke përcjellë situatën dhe janë në komunikim me akterët relevantë.

Ajo ka theksuar se Qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar rritjen e kostove dhe, në rast se kjo nuk arrihet, për të mbrojtur qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne po bëjmë çdo përpjekje dhe jo vetëm tani, por përgjatë muajve të fundit kemi përcjellë situatën dhe kemi qenë në komunikim me të gjithë akterët relevantë. Po bëjmë përpjekje maksimale që kostot e furnizimit të mos rriten dhe këto i kemi bërë në mënyra të ndryshme, e po e bëjmë edhe me vendimet e sotme dhe me ato në vijim. Do të marrim të gjitha masat që, në njërën anë, kostot të mos rriten dhe, në anën tjetër, nëse kostot vazhdojnë të rriten, t’i mbrojmë qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme. Si në çdo përballje me çdo krizë në të kaluarën, pandeminë, krizën energjetike dhe inflacionin e shkaktuar nga luftërat dhe zhvillimet gjeopolitike në vendet e tjera, do të jemi në krye të detyrës dhe do të përballemi së bashku edhe me këtë krizë”, ka potencuar Rizvanolli.

Të ngjashme