Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nëse Serbia nuk reflekton lidhur me bllokimin e linjave të transitit të energjisë, Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë përshkallëzimin e kundërmasave, përfshirë edhe rishikimin e tërësishëm të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Kurti paralajmëron rishikimin e marrëveshjes së Brukselit për energjinë nëse Serbia nuk i liron linjat e transitit

Kurti ka bërë të ditur se, si kundërmasë ndaj bllokimit të transitit të energjisë nga Serbia, Qeveria ka vendosur të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet e regjistruara në Serbi ose që kanë pronarë shtetas të Serbisë.
Megjithatë, ai ka sqaruar se përjashtim nga kjo masë do të bëhet për furnizuesin e themeluar në bazë të marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Kurti ka paralajmëruar se Ministria e Ekonomisë do ta përcjellë vazhdimisht situatën dhe, nëse nuk ka reflektim nga Beogradi zyrtar, në të ardhmen mund të ndërmerren masa të tjera.
“Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin furnizuesin e marrëveshjes me Brukselin, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shpjeguar se bllokimi i transitit të energjisë nga Serbia i ka shkaktuar Kosovës pasoja të konsiderueshme, duke përmendur rastet kur mbingarkesa e linjave me shtetet e tjera, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ka ndikuar në rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë.
Sipas tij, më 14 dhe 20 janar të këtij viti, për shkak të këtyre vështirësive, ishte pamundësuar sigurimi i energjisë elektrike, duke e detyruar KOSTT-in të aplikonte reduktime.
Kurti ka thënë se që nga marrja e detyrës në muajin mars, Qeveria ka bërë përpjekje për të siguruar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim që të ushtrohet presion ndaj Serbisë për lirimin e linjave të transitit.
Ai ka rikujtuar se në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar shkeljen e Traktatit të Komunitetit të Energjisë nga Serbia dhe i kishte kërkuar asaj lirimin e linjave më së largu deri më 1 korrik të këtij viti.
Megjithatë, sipas Kurtit, ky vendim nuk është zbatuar, ndonëse kanë kaluar katër muaj e gjysmë nga afati i përcaktuar. Ai ka shtuar se Kosova ka kërkuar edhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e çështjes, por kjo përpjekje nuk ka sjellë rezultate.

















