Ekonomia Online
FUNDIT

Ramadani: Qeveria pranoi se ka zhvatur buxhetin përmes tregtisë së rrymës me Serbinë

Ramadani: Qeveria pranoi se ka zhvatur buxhetin përmes tregtisë së rrymës me Serbinë

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke e cilësuar atë si të dyshimtë në dy aspekte.

Ramadani ka thënë se ky vendim, sipas tij, dëshmon se akuzat e ngritura më herët për pazaret me energjinë elektrike me Serbinë dhe mafien energjetike kanë qenë të bazuara.

Në anën tjetër, ai ka akuzuar Qeverinë se po e përdor këtë vendim si perde tymi për të arsyetuar ndërprerjet e energjisë elektrike dhe reduktimet e mundshme gjatë dimrit.

"Vendimi i sotëm i Qeverisë për të ndaluar tregtimin e energjisë me kompanitë serbe është dyfish i dyshimtë:

• E para, po e pranojnë vetë me gojën e tyre se krejt çka kemi thënë tash e sa kohë për pazaret me rrymën e Serbisë dhe mafian energjetike ka qenë e vërtetë.

• E dyta, po e përdorin këtë si perde tymi për t'i arsyetuar ndaljet e rrymës dhe reduktimet që po na presin këtë dimër.

Për një mandat të tërë e lanë Kosovën pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme energjetike, ndërsa buxhetit të shtetit i u zhvaten miliona euro në kontrata e tregti të dyshimta.

Sot, në momentin kur skandalet po u shpërthejnë në çdo sektor dhe vendi po rrezikon reduktime të ashpra të energjisë elektrike, po tentojnë ta fshehin dështimin e tyre në emër të "patriotizmit".

Një vendim i vonuar nuk mund ta amnistojë koston e rëndë financiare që u është faturuar qytetarëve. Prandaj, duhet hetim i menjëhershëm dhe i paanshëm për të gjitha ato miliona të shpenzuara deri më sot."

Të ngjashme