Ekonomia Online
FUNDIT

Kënga serbe për Kosovën në Bruksel shkakton reagime, raportojnë edhe mediat rajonale

Kënga serbe për Kosovën në Bruksel shkakton reagime, raportojnë edhe mediat rajonale

Interpretimi i këngës serbe “Oj, Kosovo, Kosovo” gjatë një koncerti në Bruksel, në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka shkaktuar reagime të shumta, duke marrë vëmendjen edhe të mediave në rajon.

Portalet kroate, boshnjake dhe sllovene kanë raportuar për polemikat që pasuan interpretimin e këngës, e cila përmban vargje me pretendime territoriale serbe ndaj Kosovës.

Mediumi kroat “Tportal” e ka cilësuar atë si këngë nacionaliste serbe, duke theksuar reagimet e zyrtarëve kosovarë dhe eurodeputetëve, të cilët kritikuan përzgjedhjen e saj në një aktivitet të organizuar në kuadër të institucioneve evropiane.

Edhe “Index.hr” ka raportuar për këtë rast, duke publikuar disa nga vargjet e këngës dhe duke veçuar reagimin e ambasadorit të Kosovës në BE, Agron Bajrami, i cili deklaroi se ajo paraqet pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, mediumi boshnjak “Klix.ba” është ndalur edhe te prejardhja e këngës “Sa Kosova zora sviće”, e njohur si “Oj Kosovo, Kosovo”. Sipas këtij mediumi, ajo është shkruar në vitin 1989 nga kompozitori serb Ljubomir Manasijeviq, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës.

Në anën tjetër, gazeta sllovene “Delo” ka vënë në pah faktin se kënga u interpretua nga muzikantë sllovenë në një aktivitet që synonte të përfaqësonte vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për këtë çështje ka reaguar edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës, duke thënë se ajo prek tema të ndjeshme, veçanërisht për shkak të historisë së dhimbshme dhe përvojave të ndryshme të komuniteteve në Kosovë.

Kos ka theksuar se interpretimi i saj nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, e ka cilësuar këngën si nacionaliste serbe dhe ka kritikuar faktin që Kosova nuk ishte ftuar në këtë aktivitet.

Reagim ka pasur edhe nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i cili e ka cilësuar përzgjedhjen e këngës si “provokim të qëllimshëm ose injorancë të plotë”.

Polemikat kanë nxitur kërkesa për sqarime nga institucionet evropiane, ndërsa rasti ka marrë jehonë në mediat e rajonit, duke e kthyer koncertin në Bruksel në një çështje diplomatike.

Të ngjashme