Ekonomia Online
FUNDIT

APK-ja lanson Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026-2030, përcaktohen gjashtë objektivat kryesore

APK-ja lanson Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026-2030, përcaktohen gjashtë objektivat kryesore

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar Kornizën Zhvillimore Strategjike për periudhën 2026-2030, përmes së cilës synon forcimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e korrupsionit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e llogaridhënies në institucionet publike, raporton Ekonomia Online.

Dokumenti përcakton gjashtë objektiva strategjike, të cilat përfshijnë konsolidimin e kornizës ligjore, avancimin e kapaciteteve profesionale për hetim administrativ, rritjen e transparencës dhe komunikimit publik, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, transformimin digjital si dhe zhvillimin organizativ të Agjencisë.

Në kuadër të objektivit për konsolidimin e kornizës ligjore, APK-ja synon harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe përmirësimin e mekanizmave për deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit dhe parandalimin e korrupsionit.

Ndërkaq, në fushën e hetimit administrativ parashihet avancimi i procedurave standarde të punës, trajnimi i stafit profesional, përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe analizimit të rasteve të korrupsionit.

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë i kushtohet edhe transparencës dhe edukimit publik, përmes komunikimit me qytetarët, organizimit të aktiviteteve vetëdijësuese dhe bashkëpunimit me mediat, shoqërinë civile dhe institucionet arsimore.

Dokumenti parasheh gjithashtu forcimin e bashkëpunimit me mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë partnerët si GRECO, RAI, NEIËA dhe OECD/ACN.

Në kuadër të transformimit digjital, Agjencia synon modernizimin e sistemeve të saj, automatizimin e proceseve administrative, përmirësimin e sigurisë së të dhënave dhe krijimin e mekanizmave për menaxhimin e incidenteve të sigurisë.

Strategjia mbulon periudhën 2026-2030 dhe parasheh plane vjetore të veprimit, indikatorë të matshëm të performancës dhe raporte periodike për monitorimin e zbatimit të objektivave.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se në hartimin e këtij dokumenti kanë kontribuar edhe komuniteti i donatorëve dhe shoqëria civile, të cilët janë përfshirë gjatë fazës përfundimtare të procesit.

Ai ka falënderuar OSBE-në për mbështetjen përmes punëtorive gjatë hartimit të dokumentit, si dhe UNDP-në për ndihmën në finalizimin dhe prezantimin e tij.

“Duhet të theksoj, është që në këtë dokument mund të gjeni kontribut edhe të komunitetit të donatorëve, po ashtu edhe shoqërisë civile, sepse një dokument është ndarë me këto dy grupe të rëndësishme të Agjencisë, gjatë fazës finalizuese të tij. Një falenderim i veçantë për këtë proces hartimi shkon për OSBE-në që na kanë ndihmuar me shumë punëtori gjatë procesit të hartimit, dhe nga UNDP-ja që na kanë ndihmuar në finalizimin e dokumentit dhe prezantimin e tij në një format të tillë siç e keni parë sot,” tha Buleshkaj.

Buleshkaj ka theksuar se integriteti nuk duhet të shihet vetëm si kërkesë ligjore, por si standard i përditshëm i punës në institucione.

"Për ne si Agjenci integriteti nuk është vetëm një kërkesë ligjore, është më shumë një standard i punës, i mënyrës se si sillem, i çdo dite në institucionet tona. Por duke qenë një proces, nuk mund të themi që ndalet, gjithmonë duhet të jetë në zhvillim", potencoi ai.

Buleshkaj, ka thënë se parandalimi i korrupsionit nuk mund të realizohet nga një institucion i vetëm, prandaj në strategji është paraparë bashkëpunim i afërt me institucionet që mund të kontribuojnë në këtë proces.

“Po ashtu, procesin e parandalimit të korrupsionit nuk mund ta realizojë vetëm një institucion i vetëm, për këtë arsye, e shihni më vonë edhe në dokument kemi paraparë bashkëpunim të afërt me institucionet që mund të kontribuojnë në këto punët tona. Parandalimi i korrupsionit kërkon fillimisht institucione me integritet, kërkon institucione dhe mekanizma funksional, kërkon transparencë, profesionalizëm dhe bashkëpunim të qëndrueshëm", tha Buleshkaj.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Aferdita Bytyqi, ka thënë se Këshilli ka hartuar një plan strategjik për rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe krimit të organizuar për periudhën 2025–2027.

Gjatë prezantimit, Bytyqi ka bërë të ditur se në kuadër të kësaj strategjie, gjykatat themelore dhe Gjykata e Apelit kanë hartuar planet e tyre të veprimit për zbatimin e saj.

“Këshilli Gjyqësor ka plan strategjik dhe ka disa plane strategjike të cilat i ka të publikuara në faqen e Këshillit dhe secili i interesuar, secili person, mund të hyjë dhe të shfrytëzojë se çfarë plani strategjik ka Këshilli në luftën kundër korrupsionit. Këtu ndoshta në këtë tryezë apo në këtë format vlen të theksohet plani strategjik që ka Këshilli gjyqësor për efikasitetin e trajtimit të lëndëve të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe krimit të organizuar, që është për vitin 2025-2027. Këshilli ka aprovuar këtë strategji, si dhe për luftimin e korrupsionit, do të thotë për trajtimin e rasteve të korrupsionit me efikasitet më të lartë, dhe gjykatat të cilat janë zbatim këtij plani strategjik, pastaj hartojnë planet e veprimit të tyre, secila gjykatë, themelore, është fjala gjykata themelore e Republikës së Kosovës si dhe për gjykatën e Apelit vlen, planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie, gjithësisht për trajtimin sa më me efikasitet të lëndëve të korrupsionit. Këshilli ka shkuar edhe më tutje dhe ka themeluar edhe komisionin i cili bën monitorimin, vlerësimin dhe raportimin për zbatimin e kësaj strategjie”,

Ajo ka theksuar se KGJK-ja ka themeluar edhe një komision me pesë anëtarë, të cilët janë gjyqtarë të Gjykatës Supreme, për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e zbatimit të strategjisë.

“Ky komision është i themeluar nga Këshilli Gjyqësor dhe përbëhet nga pesë anëtarë të cilët vijnë nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, dhe ky komision është i obliguar që ka obligim që për monitorimin që i bën zbatimit të strategjisë, kësaj strategjie të raportojë në Këshill për rezultatet pastaj edhe për sfidat që paraqiten, e me pas Këshilli , në bazë të raporteve të këtij komisioni ndërmerr dhe masa të tjera, si për shembull aty kukomisioni raporton se ka sfida te trajtimi i një çështje, sigurisht Këshilli aty duhet të ndërhyjë dhe të përforcojë atë çështjet, problem, ose kështu ta, të ndihmojë ta zgjidhë këtë problem dhe të përforcojë mekanizmat të cilat ndihmojnë trajtimin sa më me sukses të asaj çështje,” tha Bytyqi.

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Visar Krasniqi, ka thënë se dokumentet strategjike janë të rëndësishme për rritjen e efikasitetit të institucioneve, por se ato duhet të përmbajnë objektiva të qarta dhe mekanizma për mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

“Dhe për me pas këtë efikasitet, natyrisht që institucionet tona duhet me pas dokumente mirë të planifikuara, mirë të organizuara me veprime dhe objektiva të qarta. Dhe, kur i ki këto objektiva të qarta, natyrisht që duhet me pas edhe një mekanizëm që e përmendi edhe më herët edhe gjyqtarja, mbikëqyrja e planit strategjik, edhe Këshilli Prokurorial, ka një dokument të tillë, edhe Këshilli po ashtu e mbikëqyr zbatimin e këtij dokumenti,” tha Krasniqi.

Ai ka theksuar se, ndryshe nga institucionet e tjera, në sistemin prokurorial ekziston një departament i veçantë që merret me korrupsionin dhe krimin financiar, ndërsa rastet e profilit të lartë trajtohen nga Prokuroria Speciale.

“Mirëpo, për dallim prej ndoshta prej institucioneve të tjera, ne tashmë e kemi një ligj, që është ligji për prokurori speciale dhe aty është raport, një departamenti të veçantë që merret me korrupsionin dhe krimin financiar. Pra, rastet e profileve të larta në Prokurori, dhe natyrisht duhet me pranu faktin që këto katër vitet e fundit, mungesa e kryeprokurorit të shtetit e ka bërë, e kalon një vakum të madh në trajtimin ose trajtimin e lëndëve, efikasitetit e kështu me radhë,” potencoi ai.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Isen Lipovica, ka thënë se luftimi i korrupsionit është çështje me rëndësi të veçantë për këtë institucion, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë ekonomik e fiskal.

Lipovica ka theksuar se ATK-ja ka qasje në të dhënat e tatimpaguesve dhe luan rol të rëndësishëm në sigurimin e informacionit për institucionet e tjera.

“Duke pas parasysh rolin dhe funksionin që luan Administrata Tatimore në sistemin tonë ekonomik, duke pasur parasysh kapacitetet njerëzore që posedon ndër agjencionet më të mëdha, duke pasur parasysh faktin që ne kemi prezencë të vazhdueshme në terren, ne kemi qasje te secili qytetar që në bazë të ligjit, në bazë të sistemit të tatimpagues së Kosovës realizon të ardhura. Kjo jep me në kuptue çka, kjo çështje, çështja e korrupsionit është e rëndësisë së vitale, institucional dhe ekonomike dhe fiskale, do të thotë të cilës Administratës Tatimore i kushton i rëndësi të veçantë,” tha Lipovica .

Sipas tij, ky sistem përpunon të dhënat nga deklaratat e tatimpaguesve dhe informacionet e siguruara nga akterë të tjerë, në mënyrë që vlerësimet dhe veprimet e institucionit të bazohen në analizën e riskut.

“Kur flasim për dhënat cilësinë e tyre dhe analizën mbi bazën e të cilave administrata tatimore operon, unë me kënaqësi të veçantë mund të ndaj këtë informacion që administrata tatimore është padyshim deponi e dhënave, është, si me thënë, në zhargonin popullor "hambari" i dhënave, sepse siguron dhëna për të gjithë akterët tjerë prezent në shoqërinë tonë. Do të thotë dhe këtë, edhe vendimmarrjen e ka arritur këtë nivel do të thotë, në vitin, në aktualitetin e sotshëm, çdo vendim në administratën tatimore kalon nëpër filtrin e divizionit që e njohim ne të analizës dhe menaxhimit të riskut,”, deklaroi ai.

Të ngjashme