Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka kritikuar faktin që Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se kjo nuk është në përputhje me progresin e arritur nga vendi.
Zulfaj: Zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në meritë, Kosova ka dëshmuar përparim

Në një reagim në platformën X, Zulfaj ka renditur pesë fusha në të cilat, sipas tij, Kosova ka shënuar përmirësime në treguesit ndërkombëtarë: sundimin e ligjit, demokracinë, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe proceset zgjedhore.
Ai ka rikujtuar se Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por edhe pas gati katër vjetësh vazhdon të mbetet i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka fituar statusin e kandidatit.
Zulfaj ka thënë se kjo mospërputhje mes rezultateve të Kosovës dhe pozitës së saj në procesin e integrimit evropian është pikërisht ajo që, sipas tij, ka nënvizuar edhe kryeministri Kurti.















