Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk ka arritur të argumentojë ekzistencën e elementeve qenësore të veprave penale të pengimit të administrimit të drejtësisë, për të cilat të martën e 17 nëntorit Gjykata Speciale pritet të bëjë publik vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Bajraktari i bindur në pafajësinë e Thaçit për “pengim të drejtësisë”, por s’i beson Speciales: Gjithçka është e mundur

Në një intervistë për Ekonomia Online, Bajraktari ka vlerësuar se gjatë procesit gjyqësor nuk është dëshmuar se kush është penguar dhe cilat kanë qenë pasojat e veprimeve të pretenduara nga Prokuroria.
“Nesër Gjykata Speciale do të bëjë publike vendimin për sa i përket zotit Thaçi dhe të tjerëve për veprat penale të pengimit në administrim të drejtësisë si pjesë e juridiksionit të këtyre dhomave. Ajo çka është parë gjatë ecurisë së këtij procesi gjyqësor, prokuroria nuk ka arritur ta argumentoj ekzistencën e elementeve të qenësishme, me theks të veçantë të veprës penale që ndërlidhet me pengimin e personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare. Sepse në referencë të Nenet 401 të Kodit Penal elementet esenciale të kësaj vepre janë ushtrimi i forcës ose i kanosjes serioze – gjë e cila në rrethana kur një person i cili është në masën e paraburgimit tashmë më tepër se gjashtë vite, natyrisht që është e pamundur të ndodhë”, tha Bajraktari.
Bajraktari është shprehur i bindur që organi i akuzës nuk ka arritur të dëshmojë as identitetin e personave të penguar dhe as ndikimin që kanë pasur veprimet e pretenduara nga Prokuroria.
“Po ashtu, prokuroria nuk ka arritur me argumentuar edhe faktin se kush është penguar dhe cili ka qenë impakti i këtyre, përkatësisht pasojat e këtyre pengesave, si elemente esenciale dhe të rëndësishme të komplet figurës së veprës penale”, ka potencuar ai.
Për Bajraktarin, kërkesa e Prokurorisë për dënimin e Thaçit dhe të tjerëve me gjashtë vjet burgim është në shpërputhje me ligjin dhe praktikën e deritashme të shqiptimit të dënimeve për vepra të tilla.
“Mirëpo, edhe përkundër kësaj, me theks të veçantë në raport me zotërinë Thaçi, ka kërkuar që ndaj të njëjtit t'i shqiptohet dënim me burgim prej gjashtë vitesh, e cila natyrisht që është në shpërputhje – një propozim i tillë është në shpërputhje me praktikën, përveç natyrisht me ligjin, edhe me praktikën e shqiptimit të masave të tilla – për faktin se edhe kur ka pasur veprime, përkatësisht akte të konfirmuara të pengimit në mënyrë brutale të administrimit të drejtësisë, shkalla maksimale e dënimit që është shqiptuar ndonjëherë për këto vepra në tribunale përkatëse ka qenë deri në dy vite”, ka potencuar ai.
Avokati i njohur nga Prishtina ka thënë se pavarësisht këtyre argumenteve, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Speciale, meqë sipas tij ky institucion i drejtësisë ndërkombëtare deri më tani nuk e ka zbatuar parimin e shpalljes së pafajësisë.
“Por, megjithatë edhe përkundër gjithë këtyre, kemi të bëjmë me një gjykatë e cila deri tash, asnjëherë të vetme nuk e ka aplikuar parimin e shpalljes së një personi të pafajshëm, prandaj gjithçka është e mundur dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë nesër”, ka përfunduar Bajraktari.
Të martën mbahet seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, për veprën “pengim i drejtësisë”, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas njoftimit seanca do të fillojë në orën 10:00 dhe kërkohet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë edhe të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.
Në aktakuzë pretendohet se, gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.
















