Avokati Tomë Gashi ka reaguar lidhur me ndalimin e klientit të tij, Hashim Miftari, i dyshuar për veprën penale të dëmtimit të pronës, pas rastit kur lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës Themelore në Graçanicë.
Gashi: Prokurori e trajtoi hyrjen e lopës në oborrin e Gjykatës në Graçanicë si rast me rrezikshmëri të lartë

Përmes një postimi, Gashi ka kritikuar vendimin e prokurorit Blerim Igrishta për ndalimin e Miftarit, duke thënë se arsyetimi i aktvendimit përmban rrethana që, sipas tij, trajtojnë të dyshuarin sikur të ishte person me rrezikshmëri të lartë.
Ai ka thënë se prokurori ka përmendur rrezikun e arratisjes, asgjësimit apo fshehjes së provave dhe ndikimit në dëshmitarë e të dëmtuar.
“Prokurori Blerim Igrishta paska nxjerrë aktvendim mbi ndalimin-arrestimin e klientit tim, z. Hashim Miftari, për dyshimin për veprën penale të dëmtimit të pronës, mirëpo aktvendimin për ndalimin e personit të arrestuar e paska bazuar sikur të ishte vepra më e rëndë penale, duke e arsyetuar se kinse ekziston rreziku i arratisjes, rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit të provave, pengimi i rrjedhës së procedurës duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit dhe në bashkëpjesëmarrësit”, ka shkruar Gashi.
Tutje, avokati ka përmendur edhe arsyetimet e tjera të prokurorit, të cilat, sipas tij, lidhen me peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, sjelljen e mëparshme dhe rrethanat personale të të dyshuarit.
“Prokurori e paska konsideruar z. Hashim Miftari si person të dyshuar thuajse me rrezikshmëri të lartë dhe thuajse kemi të bëjmë me veprën më të rëndë penale, e kjo vepër është HYRJA E LOPËS së z. Hashim Miftari në oborrin e Gjykatës Themelore në Graçanicë për të kullotur”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Gashi ka thënë se lopës i është pamundësuar dalja nga oborri i gjykatës, pasi dyert e tij ishin mbyllur.
“E të njëjtës lopë ia pamundësojnë daljen nga oborri i gjykatës, duke ia mbyllur dyert e këtij oborri”, ka shkruar Gashi.
















