Ekonomia Online
FUNDIT

Hoti takohet me ambasadorin austriak, paralajmëron nënshkrimin e marrëveshjes për sigurime sociale

Hoti takohet me ambasadorin austriak, paralajmëron nënshkrimin e marrëveshjes për sigurime sociale

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit zhvillimor, shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë për shfrytëzimin e ekspertizës austriake në sektorët që mbulon ministria.

Në takim ishte e pranishme edhe Rita Glavitza, udhëheqëse e Zyrës Koordinuese të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) në Prishtinë.

Përmes një postimi, Hoti ka thënë se ambasadorin austriak e ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë shtet si mik dhe përkrahës historik të vendit.

“Pata kënaqësinë të pres në takim Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Sh.T. Georg Schnetzer, i shoqëruar nga znj. Rita Glavitza, udhëheqëse e Zyrës Koordinuese të Agjencisë Austriake për Zhvillim (Austrian Development Agency - ADA) në Prishtinë, me ç’rast diskutuam për avancimin e bashkëpunimit zhvillimor, shkëmbimin e përvojave dhe shfrytëzimin e ekspertizës austriake në shërbim të sektorëve që mbulon Ministria”, ka shkruar Hoti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka njoftuar ambasadorin edhe për prioritetet dhe planet e ministrisë, si dhe mundësitë konkrete për bashkëpunim.

Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe Marrëveshja për Sigurime Sociale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, teksti i së cilës tashmë është dakorduar dhe pritet që së shpejti të kalojë procedurat e nevojshme për nënshkrim.

“Marrëveshja për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, teksti i së cilës tashmë është dakorduar, pritet të kalojë së shpejti procedurat e nevojshme dhe të nënshkruhet. Ajo do të mundësojë njohjen dhe bashkërendimin e periudhave të sigurimit dhe realizimin e të drejtave pensionale për qytetarët që kanë punuar në të dyja vendet”, ka bërë të ditur Hoti.

Të ngjashme