Ekonomia Online
FUNDIT

OVL-UÇK: Nuk kemi besim në Dhomat e Specializuara, asnjë aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike të luftës

OVL-UÇK: Nuk kemi besim në Dhomat e Specializuara, asnjë aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike të luftës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se nuk ka besim në drejtësinë e këtij institucioni.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, OVL-UÇK ka kritikuar mënyrën e drejtimit të procesit gjyqësor, duke pretenduar se është dëmtuar besimi në profesionalizmin dhe paanshmërinë e Dhomave të Specializuara.

“OVL UÇK, nuk ka besim në 'drejtësinë' e Dhomave të Specializuara në Hagë. Mënyra si e kanë drejtuar dhe po vazhdojnë ta drejtojnë procesin kundër krerëve të UÇK-së, ka shkatërruar çdo fije besimi në profesionizmin dhe paanshmërinë e tyre. Andaj, asnjë aktgjykim i tyre nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike të Luftës Çlirimtare”, thuhet në reagim.

Tutje, kjo organizatë ka thënë se zhvillimet dhe vendimet në këtë proces nuk do t'i zmbrapsin, por, sipas saj, do t'i bëjnë edhe më të vendosur dhe të bashkuar.

“Le ta kuptojnë të gjithë, këto goditje nuk na dobësojnë, nuk na frikësojnë dhe nuk na zmbrapsin. Na bëjnë më të vendosur, më të bashkuar, më të fortë. UÇK-ja nuk ka vend në bankën e të akuzuarve të historisë. Ajo qëndron në themelet e lirisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Të ngjashme