Demhasaj: Vetëvendosje po proteston para institucioneve që i udhëheq vetë

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 14:38 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Protesta e organizuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje para vendimit të Gjykatës Kushtetuese po vlerësohet si vendim i paprecedent dhe kundrejt institucioneve që udhëhiqen nga vet kjo parti.

Po ashtu, kjo protestë po shihet si tendencë për të bërë presion mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin e presidentit Thaçi.

Kështu ka vlerësuar për Ekonomia Online drejtori i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

Demhasaj deklaroi se ky presion po bëhet për të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.

 “Kjo protestë mbi të gjitha ka edhe tendenca te bërja e presionit të Gjykata Kushtetuese, pasi ende po protestohet pa dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në një mënyrë po bëhet presion që vendimi me qenë në favor të kërkesës së VV-së. Pasi ende nuk kemi asnjë vendim, andaj kështu shihet”, tha Demhasaj.

Ai thotë se kjo protestë do të kishte kuptim sikur ta kishim një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do të ishte në kundërshtim me atë cfarë ka kërkuar VV-ja.

“Por nëse kishim pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila do të ishte në kundërshtim nga ajo çfarë ka kërkua VV-ja atëherë ndoshta kishte pasur kuptim. Por edhe në këtë aspekt nuk e shoh të arsyeshme pasi Gjykata Kushtetuese është e caktuar si mekanizmi i vetëm që interpreton normat kushtetuese dhe vendimet e saj janë të apelueshme e të obligueshme për tu zbatua nga gjitha institucionet”, tha Demhasaj.

Me tej, njohësi i çështjeve politike potencoi se kjo protestë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është rrëshqitje e demokracisë.

Ai foli edhe për deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se nuk ka kohë të marrë pjesë në protestë, siç tha ai kjo është e pakuptimit, kurse partia e tij po proteston para institucioneve të udhëhequra nga vet VV-ja.

Ndër të tjera, Demhasaj e quajti vendim të paprecedent, ku raste të tilla nuk ndodhin as në Evropë.

“Nëse kemi parti apo institucione që dalin e protestojnë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe japin sinjale që nuk po pranojnë këto vendime kjo mund të jetë një rrëshqitje e demokracisë në Kosovë çfarë e kemi deri me tani”, tha ai.

Sipas tij, partia e cila është në pushtet nuk ka kuptim të protestojë para institucioneve që i udhëheq vet.

“Kjo protestë po flitet që po organizohet nga partia e Kurti i cili po udhëheq Qeverinë, atëherë është e pakuptim. Partia e tij po organizon kurse ky thotë se nuk ka kohë të dalë në protestë. Partia e cila është në pushtet nuk ka kuptim me dalë me protestua para institucioneve të cilat janë të udhëhequra nga vet partia. Është e paprecedent dhe nuk kemi parë raste të tilla as në vendet e Evropës Perëndimore”, ka thënë Demhasaj.

Të ngjashme