Vizita e Kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga analisti Artan Demhasaj, po cilësohet si vizitë e paplanifikuar mirë.
Demhasaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se është tentuar që nëpërmes kohëzgjatjes së vizitës së Kurtit në ShBA, me u fshehë mungesa e takimeve të rëndësishme me njerëz të ekzekutivit amerikan.
“Nëse e analizojmë vizitën e Kurtit në ShBA e shohim se nuk ka qenë vizitë e planifikuar dhe as e bashkëbiseduar me ambasadën amerikane në Kosovë, që me i pasë edhe takimet në agjendë dhe me u realizu ato takime. Pra Kurti ka thënë po shkoj atje edhe po e shoh kohë pas kohe mos po del ndonjë takim i rëndësishëm. Pra komplet takimet kanë qenë me biznese të caktuara, me shoqata shqiptare atje. Prandaj mendoj që kanë qenë vizita të pa planifikuara dhe të pa menduara mirë”, tha ai.
Sipas tij, nuk ka pasur koordinim me ambasadën amerikane sa i përket vizitës së kryeministrit në ShBA dhe kjo siç tha ai, ka ndikuar që të mos ketë as ftesë zyrtare për takime të rëndësishme.
“Unë mendoj që mos koordinimi për shkak se ne kemi pa që ka pasur vizita të ambasadorëve amerikanë vazhdimisht në Kosovë. Zoti Escobar ka ardhur në Kosovë i cili është i deleguari për Ballkanin Perëndimor, dhe derisa ai ka ardhur këtu, ai na ka sjellë disa kërkesa që me gjasë ne nuk i kemi pranuar dhe mendoj që kjo në njëfarë mënyre ka ndikuar që mos të ketë ftesë zyrtare kryeministri Kurti as nga Escobari”, vlerësoi Demhasaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ShBA ka qëndruar 18 ditë dhe nga opozita produktiviteti i vizitës së tij po vlerësohet i zbehtë.