Analisti politik Agron Demi ka thënë se Qeveria Kurti 1 ka qenë më e suksesshme dhe më aktive se qeveria aktuale për të njëjtën periudhë kohore.
Demi në “DESK” të KTV-së u shpreh se edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pati më shumë sukses pasi kishin një plan të qartë qeverisës.
“Unë mendoj që ditët e para të Qeverisë Kurti 1 ishin më të suksesshme, më aktive, edhe pse kanë qenë në bashkëqeverisje me LDK-në, kanë qenë dy parti të krahëve të ndryshëm edhe ka pas arritje më të mëdha, nëse e krahasojmë me këtë qeveri tani, arritje më të mëdha nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë. Edhe pse ka qenë një koalicion, kanë arritur të merren vesh të ulin postet ministrore, për kundër dallimeve kanë ardhur me plan qeverisës, të cilin tash nuk po e shohim. Kanë pas kohë edhe tash për plan qeverisës, Qeveria duhej ta kishte planin qeverisës qofshin edhe një javën kohë, sidomos pasi Vetëvendosja ka pas sinjale që do ta udhëheqë Qeverinë”, u shpreh Demi.
Sipas tij arsyeja që ka mundur të çojë në vonimin e planit qeverisë është se janë ndjerë rehat që do të jenë në qeverisje për katër vjet të vetëm.
“Që do të jenë të vetëm në qeverisje për katër vjet, dhe kjo ka mundur me iu dhanë një rehati, por kjo nuk duhej të ndodhte, pasi kanë një përvojë të vogël në qeverisje. Vëmendja e Kurtit nuk ka qenë plotësisht në qeverisje, pasi një herë ka qenë çështja e presidentit, pastaj angazhimi në zgjedhjet në Shqipëri. Nëse i krahasojmë edhe vendimet mes dy qeverive, ato në Kurti 1 kanë qenë shumë të rëndësishme. Anulimi i të gjithë koordinatorëve nacionalë vendimi i mbetur nga Qeveria Haradinaj, vendimi për shfuqizimin e rritjes së pagave për kryeministrin, ministrat dhe zyrën e kryeministrit ishin disa nga ato vendimet. Shumë shpejt kur është regjistruar rasti i parë me COVID-19 është hartuar një plan emergjent, edhe pse në kohë shumë të shkurtë, ka qenë më i miri prej planeve ekonomike, i ka targetu ata sektorë që janë prekur më së shumti”, u shpreh Demi.