Më 20 nëntor 1945 filloi punën në Gjermani ajo seri gjyqesh që mbeti e njohur në historinë botërore si Procesi i Nurembergut. Këto gjyqe, që zgjatën disa vite, dënuan udhëheqësit më të lartë politikë, ushtarakë e shtetërorë të Gjermanisë Naziste, por dënuan edhe shumë zyrtarë të niveleve më të ulëta.
Gjyqi i Nurembergut ishte një kthesë e rëndësishme në të drejtën ndërkombëtare, sepse përcaktoi se për krimet e luftës përgjegjësi nuk mbajnë veç entitete abstrakte, ideologji apo shtete, por mbi të gjitha individët që kryejnë ose bëjnë të mundur krimet.
Filozofi Karl Jaspers, i cili ashtu si shumë intelektualë gjermanë të kohës, u mor me çështjen e fajit, i përkufizoi katër lloje të fajit: faji kriminal (përfshirja direkte në krime); faji politik (sipas shkallës së bashkëpunimit me regjimin nazist); faji moral (i cili përjetohet në marrëdhëniet private e shoqërore të fajtorit individual); dhe faji kolektiv (ndjenja e përgjithshme e fajit e atyre që vazhduan jetën në Gjermani pa iu kundërvënë krimeve shfarosëse e gjenocidale).
Këta dy elementë, pra nga njëra anë gjykimi sistematik i një pjese të madhe të kriminelëve, duke filluar nga pozitat më të larta, dhe, nga ana tjetër, marrja e përgjegjësisë prej popullit gjerman, ishin elementët kryesorë që mundësuan denazifikimin e Gjermanisë. Ky vend i cili nga lufta doli i shkatërruar, i dënuar e i ndarë, përmes denazifikimit nisi zhvillimin që ia mundësoi ribashkimin e që sot të jetë ndër vendet më demokratike e të zhvilluara.
Përveç këtyre elementëve që dënuan krimin, duhet shtuar edhe një element i tretë, përpjekja e shtetit të Izraelit dhe të hebrejve për të kapur e për të dënuar ata kriminelë të cilët kishin mbërritur të arratiseshin e të fshiheshin në vende të largëta të botës. Sepse, viktima e ka për detyrë të mos e harrojë krimin që ka pësuar.
Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidi, shqiptarët i kanë provuar mbi shpinën e tyre prej Serbisë milosheviqiane, ashtu siç i kanë provuar edhe boshnjakët e popuj të tjerë të ish-Jugosllavisë. Këto krime nuk kanë qenë të mundur të bëhen pa pjesëmarrje të gjerë në aparatet ushtarake e paraushtarake, apo edhe pa ideologjizimin e gjerë popullor të Serbisë në linjën e Milosheviqit. Megjithatë, krimet e Serbisë nuk janë gjykuar sa duhet, dhe demilosheviqizimi i Serbisë nuk nisi kurrë. Në vitin 2018 presidenti i saj Vuçiq e lavdëron Milosheviqin, e kryeministrja Bërnabiq mohon krimet e luftës dhe gjenocidin edhe pse gjykata ndërkombëtare tashmë e ka vendosur se së paku në rastin e Srebrenicës ka patur gjenocid.
Në përvjetorin e nisjes së procesit të Nurembergut është e rëndësishme të këmbëngulim se mosdënimi i kriminelëve të luftës është kthim i madh prapa në histori. Mosfillimi i denazifikimit apo i luftës kundër ideologjive kriminale e spastruese lë të hapura kërcënimet e vjetra për luftë dhe i risjell në pushtet kriminelët e vjetër me kostume të reja.
Megjithatë, ne mbetemi të qëndrimit të njëjtë me fituesit e luftës kundër nazizmit: kushdo që bashkëpunon me shfarosësit e spastruesit, do të konsiderohet fajtor përpara historisë.