Organizata Demokraci Plus (D+), reagon ndaj organizimit të seancës së jashtëzakonshme për rastin “Astrit Dehari”.
D+ e vlerëson si të papranueshme dhe me pasoja për vendin, angazhimin e Kuvendit të Kosovës për të cenuar pavarësinë e pushteteve të pavarura të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës. Trajtimi dhe debati politik i vendimeve dhe çështjeve që bien nën kompetencën e institucioneve të pushteteve tjera është ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe paraqet praktikë të rrezikshme për demokracinë e brishtë në Kosovë.
Ju kujtojmë që ky është rasti i tretë që Kuvendi i Kosovës hapur dhe drejtpërdrejt ndërhyn në punën e pushteteve tjera. Praktika të tilla kanë ndodhur me mbajtjen e debatit parlamentarë për rastin “Kiqina” dhe rastin “Drenica I dhe II”. Ky debat dhe të tjerët të ngjashëm tregon për shpërfilljen e hapur të partive politike dhe Kuvendit të Kosovës për pushtetin gjyqësorë dhe pushtetet tjera në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës si organ më i lartë përfaqësues në vend duhet të kujdeset që parimi i ndarjes së pushteteve dhe pavarësia e tyre, të jenë vlera të pacenueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Demokraci Plus i bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që praktikat e tilla jo-demokratike të marrin fund në jetën politike dhe institucionale.