Bytyqi: Plani për shkollat profesionale fillon të zbatohet këtë vit

Prishtinë | 08 Shk 2018 | 11:57 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në vazhdën e planeve për vitin 2018 ka strategjinë nacionale e cila pritet të realizohet po në këtë vit.

Këtë e bëri të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi që u pyet nga deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Butaj për projektet konkrete të MAShT-it sa i përket orientimit profesional, raporton Ekonomia Online.

Ai ka bërë me dije se nga klasa e gjashtë deri tek e nënta do të bëhet vlerësimi i trekëndëshit prind-nxënës-arsimtar.

Bytyqi tha se do të bëhet ndarja e nxënësve që do të shkojnë në gjimnaz dhe ata që do të shkojnë në shkolla profesionale.

“Viti 2018 do të jetë vit që do të shpallet viti për strategji nacionale. Nga klasa 6 deri në 9 të futet modeli arsimor ku do bëhet vlerësimi i trekëndëshit prind-nxënës-arsimtar. Do bëjmë ndarjen e nxënësve që do shkojnë në shkolla profesionale dhe në gjimnaz. Kemi nevojë ta kemi një fushatë vetdijësuese në mënyrë që të rinjtë tanë të përgatiten për karrierë, sepse mbizotëron ideja se vetëm nxënësit e dobët mund të shkojnë në shkolla profesionale” ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka shtuar se projekti përfshinë që një pjesë e nxënësve në shkollat profesionale të shkojnë jashtë vendit për profile të veçanta. Krejt kjo, sipas tij do të bëhet në bashkëpunim me partnerët të cilët e ndihmojnë MAShT-in në këtë projekt, raporton EO.

“Planifikimi i strategjisë nacionale bën që një pjesë e madhe e këtij stafi të dërgohen jashtë vendit për profile të veçanta. Ata do të jenë bartës të shkollave profesionale.Për këtë projekt po e ndihmojnë shumë partner tanë. Kemi filluar tri projekte. Konsideroj që idenë e strategjisë nacionale do e jetësojmë në vitin 2018”, ka shtuar ai.

Të ngjashme