Demokracia nuk mjafton për të mbrojtur vlerat e ShBA-së apo Gjermanisë, është ligji që penalizon kundërshtarët e vlerave në këto dy shtete demokratike.
As neve nuk na mjafton demokracia në këtë rast, e besa edhe në disa raste tjera. UÇK është vlerë e shtetit tonë, ashtu siç çdo shtet demokratik mbron vlerat e veta me ligj, ashtu edhe Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, synon të mbroj këto vlera.
Me çfarë ligjesh e mbron veten ShBA nga armiqtë, spiunët dhe bashkëpunëtorët e huaj, apo njësiteve të tyre sekrete. Me çka e mbron veten Gjermania nga keqbërësit e të njëjtave ngjyra si në ShBA apo ish anëtarët e Stasi-t, me ligj. Gjithsesi me ligj ndalohet impenjimi i këtyre mbeturinave në demokracinë amerikane apo gjermane.
Kosovës i mungon ligji për dënimet e krimeve dhe kryesve të krimeve të Komunizmit. Kosovës i mungon ligji për lustracion, andaj, të gjithë ish bashkëpunëtorët e ish sistemit dhe kryesit e krimeve, janë të pandëshkuar, ata, nuk prajnë të stigmatizojnë dhe fyejnë UÇK-në dhe vlerat e saj. Ish kriminelët e komunizmit nuk e njohin demokracinë qoftë edhe ad litteram, as ish bashkëpunëtorët e sistemit kriminal, nuk e pranojnë realitetin e ri demokratik.
Andaj, ligji është i drejtuar kundër tyre dhe tendencës për njollosjen e luftës së pastër të UÇK-së dhe vlerave të luftës së UÇK-së siç është liria, demokracia, pavarësia dhe shteti- Republika e Kosovës.
Ambasadori amerikan dhe ambasadori gjerman, kur u ngritën kundër Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës, duke mbrojtur lirinë e shprehjes, si duket nuk i kishin parasysh disa çështje. Nuk është bërë penalizimi i krimeve 50 vjeçare të komunizmit në Kosovë, ekzekutorët e tyre nuk janë ndëshkuar. Në Kosovë ende nuk është bërë Ligji për lustracionin që do të mënjanonte nga sistemi ish levat e sistemit okupator kriminal.
Nuk janë dënuar as hartuesit e planeve kriminale e gjenocidale gjatë luftës së fundit, me mbi 400 varrezave masive, ekzekutorët e këtyre krimeve dhe bashkëpunëtorët e tyre. Nëse bëjmë krahasim, dihet se demokracia nuk mjafton të parandalohen sulmet ndaj vlerave të ShBA-së as Gjermanisë, prandaj, as Kosovës nuk i mjafton si instrument i vetëm- demokracia, për mbrojtjen e vlerës esenciale të Republikës së Kosovës, UÇK-së.
Demokracia nuk mjafton për të mbrojtur vlerat e ShBA-së apo Gjermanisë, është ligji që penalizon kundërshtarët e vlerave në këto dy shtete demokratike. As neve nuk na mjafton demokracia në këtë rast, e besa edhe në disa raste tjera, si mbrojtja e flamurit, himnit e vlerave tjera të demokracisë, qytetarëve dhe shtetit tonë.