Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, ka njoftuar të martën se do të nisë një hetim zyrtar nëse presidenti Donald Trump, duhet t’u nënshtrohet procedurave të shkarkimit.
Ky vendim vjen pas raportimeve se presidenti Trump gjatë një telefonate në korrik me presidentin e Ukrainës, Volodomyr Zelenskyi, kishte kërkuar nga ai hetim të plotë mbi ish-nënpresidentin dhe kandidatin për president në zgjedhjet e ardhshme në SHBA, Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, duke kushtëzuar me tërheqjen e mbështetjes financiare për ushtrinë e Ukrainës.
Pelosi në një adresim publik tha se këtë javë presidenti e pranoi se kishte biseduar me Zelenskyin rreth nënpresidentit Biden, prandaj, shtoi se është “e papranueshme që presidenti të mos jap përgjegjësi”.
“Askush nuk është mbi ligjin”, tha ajo.
Ajo theksoi se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.
Përmes rrjetit social Twitter, i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit Trump i cili e ka konsideruar këtë vendim “të pabesueshëm”.
“Ishte një ditë e rëndësishme në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, shumë punë dhe suksese, dhe demokratët me qëllim prishën cdo gjë me lajme ekskluzive, mbeturina të gjuetisë së shtrigave. Shumë keq për vendin tonë”. tha Trump.
Numri i demokratëve që mbështesin vënien në gjykim të presidentit Donald Trump është duke u rritur. Nga 235 demokratët në Shtëpinë e Përfaqësuesve, të paktën 161 nga ta e kanë bërë të qartë se do të fillojnë procesin e hetimit ndaj Trumpit.
Biden ka bërë presion ndaj Kongresit për të inciuar procedurat e shkarkimit ndaj Trumpit.
Ai tha më herët se nuk ka zgjidhje tjetër përpos shkarkimit të tij.
“Trumpi do të largohet nga Kongresi. Do të ishte tragjedi, por tragjedi e shkaktuar nga vet ai” tha Biden.
Trump tha se do ta publikojë transkriptin e bisedës
Presidenti Donald Trump ka njoftuar të martën se do ta publikojë transkriptin e bisedës më presidentin e Ukrainës të mërkurën.
Publikimi i bisedës vjen disa ditë pas debatit të brendshëm brenda administratës nëse do të ishte veprim i duhur.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë kanë kundërshtuar publikimin e bisedës, për shkak të dobëismit të fuqisë së Trumpit në politikën e jashtme.
Por, avokati Bill Barr ka këshilluar Trumpin që të bëjë publike bisedën.
Shtëpia e Bardhë kishte thënë se vendimi për procedurat e shkarkimit nga ana e Pelosit nuk janë “asgjë e re”.
“Demokratët vazhdojnë të përdorin politikën si armë kur duhet të punojnë për zgjedhësit e tyre, kjo nuk është asgjë e re”, tha zëdhënësja Stephanie Grisham.
Si erdhi deri këtu?
Mediat amerikane kanë raportuar se një informator i komunitetit të inteligjencës amerikane ka paraqitur një ankesë në muajin gusht, pasi është alarmuar nga përpjekja e supozuar e Trumpit për t’i bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në një bisedë telefonike.
Të dielën, Trump konfirmoi se ai e ka ngritur temën e ish-nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe të djalit të tij në një bisedë telefonike me Zelenskiyn, më 25 korrik.
Trump tha se i ka thënë Zelenskiyt se “ne nuk duam që njerëzit tanë, si nënpresidenti [Joe] Biden dhe djali i tij, të kontribuojnë në korrupsionin që tashmë po bëhet në Ukrainë”.
Ai e mohoi se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar Bidenin, i cili është një nga kandidatët kryesorë demokratë që mund të sfidojë Trumpin, republikan, në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e ardhshëm.
Pranimi i telefonatës nga ana e Trumpit i shtoi thirrjet e demokratëve për të nisur procedurat e votëbesimit në Kongres.
Skandali shpërtheu para një takimi të planifikuar midis Trumpit dhe Zelenskiyt në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë javë, në Nju Jork.