Demokratët mbajnë kontrollin e Senatit

Prishtinë | 13 Nën 2022 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Demokratët do të mbajnë kontrollin e Senatit amerikan pas fitores në shtetin e Nevadës.

Senatorja Chatherine Cortez Mastro ka mposhtur në Nevada kundërkandidatin e saj republikan, Adam Laxalt, i cili ishte mbështetur nga ish-presidenti Donald Trump.

Këto janë rezultatet më të mira të Partisë Demokratike në zgjedhjet e mesmandatit në 20 vjetët e fundit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatin, duke shtuar se është koha për republikanët të vendosin “se kush janë”.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se rezultati tregoi se populli amerikan ka refuzuar atë që ai e quajti “retorikë të dhunshme” të Partisë Republikane.

Vetëm në Xhorxhia do të zhvillohet rundi i balotazhit në dhjetor. Në rast se dy partitë do të kenë numër të njëjtë të ulëseve në Senat, atëherë nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, do të ketë votën që do të vendosë.

Republikanët mund të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, teksa ende po numërohen votat për zgjedhjet e mesmandatit që u mbajtën të martën.

Nëse republikanët fitojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, ata mund të pengojnë agjendën e Bidenit.

“Nuk jam i befasuar nga rezultati. Jam jashtëzakonisht i kënaqur. Mendoj se rezultati zgjedhor reflekton kualitetin e kandidatëve tanë”, deklaroi Biden në Kamboxhia, ku po merr pjesë në një samit.

Schumer tha se shteti ka “treguar se ne besojmë në demokracinë tonë dhe se rrënjët janë të forta dhe do t’ia dalim për aq kohë sa ne luftojmë për të”.

Cortez Mastro ishte në garë të ngushtë me Adam Laxalt për ulësen në Nevada, dhe arriti t’i siguronte partisë së saj një ulëse të rëndësishme në Senat.

Ky rezultat është një goditje e madhe për republikanët, që po prisnin të korrnin fitore ndaj partisë së presidentit Biden.

Përderisa republikanët vazhdojnë të jenë favorit për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët e Bidenit kanë dalë më mirë në zgjedhje sesa pritej.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, që ka insistuar në mënyrë të pabazuar se ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ka bërë pretendime të ngjashme edhe për zgjedhjet e mesmandatit.

Trump pritet të njoftojë se do të garojë sërish për president më 2024.

Të ngjashme