Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani ka vlerësuar se niveli i transparencës institucionale në Kosovë mbetet larg pritjeve, duke theksuar se, pavarësisht premtimeve për “transparencë radikale”, qytetarët dhe shoqëria civile vazhdojnë të përballen me vështirësi në sigurimin e qasjes në dokumente publike.
Demolli-Nimani në një intervistë për Ekonomia Online tha se edhe për dokumentet më bazike nevojiten kërkesa për qasje dhe pritje të gjata, ndërsa shpesh është e domosdoshme të bëhen ankesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
“Fatkeqësisht jo në nivelin që do duhej të ishin. Mos të harrojmë ne kemi një qeveri që kishte ardhur para pesë-gjashtë viteve në pushtet duke thënë që do të ketë transparencë radikale, fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta. Në qoftë edhe për dokumentin më bazik ne vazhdojmë të bëjmë kërkesa për qasje në dokumente publike dhe të presim me javë e ndoshta edhe me muaj se duhet të bëjmë ankesa në AIP për të marrë qasje për një dokument, qoftë ndoshta edhe më bazik, që do duhej të publikohej në ueb-faqet e institucioneve, pa pasur nevojë të bëjmë kërkesë për qasje. Andaj duhet të punohet shumë në këtë drejtim, sepse në një kohë të digjitalizimit, në çfarë niveli ka arritur tani, ne të vazhdojmë të merremi me kërkesa për qasje për të pasur një dokument, vërtet është absurde”, tha ajo.
Sipas saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka ndihmuar shoqërinë civile në sigurimin e qasjes në dokumente, por mungesa e kapaciteteve ndikon që trajtimi i ankesave të zgjasë.
“Është më mirë në një anë që e kemi një agjenci, e cila në këtë aspektin se sa kërkon prej institucioneve, neve si shoqëri civile na ka ndihmuar shumë, sepse falë ankesave që aty i bëjmë dhe pas trajtimit nga ana e agjencisë ne arrijmë t’i marrim këto dokumente. Mirëpo a është niveli i dëshiruar? Nuk është, sepse të merr kohë, me javë, ndoshta edhe me muaj sepse agjencia s’i ka kapacitetet ndoshta sa do duhej t’i kishte që të trajtojë një ankesë në kohë më të shkurtër, prandaj edhe e them këtë që është, është një përmirësim. A duhet të bëhet më shumë? Duhet të bëhet më shumë nga vetë institucionet, pa pasur nevojë që t’i kontaktojë AIP dhe t’i tregojë që duhet të jepen këto informata, këto dokumente palës që i ka kërkuar. Mirëpo vazhdon të jetë në vullnetin politik të shumë institucioneve se çfarë duan të publikojnë dhe çfarë jo”, u shpreh ajo, për Ekonomia Online.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL theksoi se transparenca dhe llogaridhënia janë elemente kyçe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe për parandalimin e keqpërdorimeve.
“Do të thotë shumë. Aty ku s’ka transparencë, aty menjëherë lindin dyshimet për keqpërdorime, për korrupsion. Prandaj çelësi i krejt kësaj do duhej të ishte transparenca. Nëse çdo punë kryhet sipas procedurave të kërkuara apo sipas kërkesave që i ka vetë një ligj i caktuar, nuk do duhej të kishte frikë që ato të publikohen dhe të jenë, sepse veç transparenca dhe llogaridhënia karshi publikut do të rriste besimin e vetë qytetarëve në institucione dhe jo fatkeqësisht çfarë jemi duke parë, që kemi vetëm një rënie të besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës”, deklaroi ajo.
