Demonstratat e 4, 5, 11 dhe 26 marsit, të cilat vazhduan me ato të 1, 2 dhe 3 prillit 1981, përbëjnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike të Kosovës.
Demonstratat e vitit 1981
Pavarësisht interpretimeve të shumta, të cilat në disa raste mund të jenë edhe kundërthënëse, demonstratat e vitit 1981 mbeten një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Ato shënojnë fillimin e forcimit të dominimit të politikës serbe në kuadër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe nisjen e procesit të suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe të Kushtetutës së vitit 1974, e cila kishte avancuar statusin politik dhe shoqëror të shqiptarëve. Njëkohësisht, këto ngjarje konsiderohen edhe si fillimi i procesit që çoi drejt shpërbërjes së kësaj federate dhe të vetë shtetit komunist jugosllav.
11 Marsi
Demonstratat shpërthyen fillimisht në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në mbrëmjen e së mërkurës, më 11 mars 1981, kur në shenjë pakënaqësie studentët thyen pjatat gjatë darkës në mensën e studentëve. Shkaku i menjëhershëm i kësaj proteste ishte pakënaqësia e arsyeshme e studentëve lidhur me kushtet e dobëta të ushqimit dhe të banimit.
Në atë kohë unë banoja në Konviktin nr. 3. Meqenëse fshati Graboc i Poshtëm i takonte Komunës së Prishtinës, ishte e vështirë të sigurohej vend në konvikte, për shkak të kriterit se studentët që janë nga Komuna e Prishtinës mund të pranohen vetëm nëse ka vende të lira.Për këtë arsye, deri sa u lirua një vend, unë së bashku me Ibrahim Ramadanin – i cili sot është profesor universitar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Departamentin e Gjeografisë – kemi fjetur në të njëjtin krevat.
Pikërisht në natën e 11 marsit, i gjithë konvikti u trazua dhe u përfshi nga një atmosferë e pazakontë. Në çdo dhomë dhe korridor flitej për protestën që kishte filluar gjatë darkës në mensën e studentëve. Bisedat e studentëve përqendroheshin te ngjarjet që po zhvilloheshin dhe te pakënaqësia që kishte shpërthyer në mënyrë spontane në mesin e tyre.
Me gjasë, edhe për faktin se po atë ditë në Stadiumin e Prishtinës ishte zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet Prishtinës dhe Partizanit të Beogradit, shumë qytetarë fillimisht nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte. Disa prej tyre menduan se personat e mbledhur në rrugë ishin thjesht simpatizantë të futbollit.
Protesta që shpërtheu në mensën e studentëve ishte planifikuar një natë më parë, më 10 mars 1981, në dhomën 312 të konviktit të studentëve. Diskutimet për organizimin e një reagimi lidhur me përmirësimin e kushteve të mësimit, të banimit dhe të ushqimit të studentëve vazhduan edhe në dhomën 310. Edhe pse unë nuk i kam njohur mirë, por vetëm si studentë me të cilët studionim atëherë në Universitetin e Prishtinës, sipas informatave që qarkullonin, më të zëshmit ishin Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Bedri Deliu, Murat Musliu, Jonuz Jonuzi dhe Gani Koci, etj. Edhe pse ishin studentë, unë i njihja vetëm nga pamja dhe jo me emra, dhe nuk kam pasur kontakte të afërta me ta. Demonstratat e 11 marsit vazhduan deri në orët e hershme të mëngjesit, kur u ndërprenë pas ndërhyrjes së forcave të Milicisë.
25 dhe 26 Marsi
Në demonstratat e ditëve në vijim, më 25 dhe 26 mars 1981, filluan të përfshiheshin edhe strukturat e ilegales politike shqiptare, si dhe grupe të ndryshme që nisën aktivitetet e tyre organizative.
Deri më 25 mars, pothuajse çdo natë organizoheshin takime në grupe të vogla studentësh. Në këto takime bisedohej vazhdimisht për ngjarjet e 11 marsit, e veçanërisht për faktin se gjatë kësaj kohe autoritetet kishin filluar të thërrisnin në të ashtuquajturat “biseda informative” shumë studentë, ndër ta edhe disa prej atyre që dyshoheshin si organizatorë të protestave.
Më 26 mars 1981 pritej të arrinte në Prishtinë Stafeta e Rinisë, një organizim simbolik i Jugosllavisë së atëhershme që nderonte figurën e Josip Broz Titos, ditëlindjen e tij dhe Ditën e Rinisë.
Meqenëse isha student në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe banoja në Konviktin nr. 3, natën e 25 marsit nuk qëndrova në konvikt, por bujta në fshat te familja ime, pra ndodhesha në shtëpinë time në fshat.
Të nesërmen kisha ligjërata nga ora 09:00, por fillimisht më duhej të shkoja në konvikt për të marrë librat dhe fletoret e nevojshme për ligjerata.
Sapo arrita në hapësirën mes Konviktit 1 dhe Konviktit 2, pashë një grup të vogël njerëzish që po diskutonin për kërkesat e studentëve, të cilat edhe filluan t’i lexonin me zë. U afrova për të parë dhe për të dëgjuar më qartë se për çfarë bëhej fjalë. Brenda një kohe shumë të shkurtër u mblodhën aq shumë studentë saqë unë mbeta në mesin e turmës.
Personat që flisnin i njihja vetëm nga pamja dhe jo me emra. Ndërkohë që bisedimet po vazhdonin, filluan të grumbulloheshin edhe policë, të cilët u vendosën në formë rrethimi dhe gradualisht nisën të na rrethonin.
Po atë ditë, më 26 mars, ishte planifikuar ardhja e Stafetës së Titos dhe në qendër të qytetit priteshin të zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, të cilat do të vazhdonin gjatë gjithë natës në Pallatin e Rinisë me muzikë dhe valle.
Megjithatë, turma e madhe e studentëve filloi të orientohej drejt daljes në qytet, edhe pse ishte e rrethuar nga policia. Gjatë kësaj kohe, pasi ishim të grumbulluar pothuajse tërë ditën, qytetarë të ndryshëm na sillnin herë pas here byrekë dhe ushqime të tjera për ne.
Në vendin ku studentët mbanin fjalime erdhën edhe disa personalitete akademike dhe politike, si akademik prof. dr. Gazmend Zajmi, rektor, prof. Pajazit Nushi, si dhe Azem Vllasi dhe Sanije Hyseni, të cilët përpiqeshin ta qetësonin turmën. Megjithatë, përpjekjet e tyre rezultuan të kota, pasi pjesëmarrësit ishin të vendosur që demonstratat të vazhdonin. Vlen të theksohet se shumica dërrmuese e profesorëve të asaj kohe shprehnin mbështetje për studentët.
Studentët arritën shumë afër – vetëm rreth pesë metra larg – për ta marrë Stafetën e Titos, me qëllim që të prishnin planet dhe organizimet e parashikuara për këtë ngjarje. Për fat të keq, pati edhe nga ata që në Pallatin e Rinisë vazhduan festimet, duke i bërë roje stafetës me muzikë dhe valle.
Në demonstratat e 26 marsit 1981 u ngrit për herë të parë flamuri kuqezi pa yll, një simbol i fuqishëm i identitetit kombëtar shqiptar. Gjatë protestave u përdorën parulla të ndryshme, të cilat shprehnin pakënaqësi sociale, kërkesa politike dhe ndikime ideologjike të kohës.
Ndër parullat me karakter social ishin:
“Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”,
“Deri kur në podrum”,
“Kërkojmë kushte më të mira”,
“Trepça punon, Beogradi ndërton”.
Parullat me përmbajtje politike përfshinin:
“Republikë, Kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë”,
“Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”,
“Kosova e kosovarëve”,
“I duam shokët e burgosur”,
“Rroftë Adem Demaçi”,
“Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”,
“Bashkim i trojeve shqiptare”.
Ndërkohë, në mesin e protestuesve dëgjoheshin edhe parulla të frymëzuara nga ideologjia enveriste e Shqipërisë së asaj kohe, si:
“Rroftë marksizëm-leninizmi”,
“Poshtë revizionizmi”,
“S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”,
“Rroftë klasa punëtore”.
Një nga parullat që më bëri veçanërisht përshtypje ishte: “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë.”
Policia nuk na lejonte të dilnim në qytet dhe ne qëndruam në atë hapësirë deri në orët e pasdites. Rreth orës 16:00 mbërritën njësitë speciale nga Nishi dhe Beogradi, të cilat filluan të na sulmonin nga të gjitha anët. Si pasojë, turma u shpërnda dhe secili u përpoq të largohej në drejtimin që mundej.
Unë, së bashku me një grup studentësh, u drejtuam drejt Konviktit nr. 4. Hymë brenda dhe u ngjitëm nëpër shkallë deri në katin e katërt. Hyrëm në disa dhoma dhe më pas dolëm në terasë për të marrë ajër të pastër. Terasa ishte e madhe dhe e mbushur me studentë,
Policia kishte filluar të hidhte gaz lotsjellës.arriti të hynte edhe brenda konviktit dhe po afrohej drejt nesh. Në atë moment kishim dy mundësi për të shpëtuar:
të hidhnim nga terasa në tokë – gjë që disa studentë e bënë,
ose të ktheheshim brenda dhe të përballeshim me policinë.
Unë zgjodha mundësinë e dytë. Hyra në një dhomë dhe më pas dola në korridor, ku u përballa me kordonin e policisë, i cili ishte rreshtuar në të dy anët e korridorit. Ata filluan të na godisnin me çdo mjet që kishin në duar.
Për fat, në katin e katërt dhe të tretë kalova me lëndime më të lehta. Mirëpo, në katin e dytë, një polic më goditi aq fort sa nga hunda dhe goja më shpërtheu gjaku, i cili nuk ndalej. Më kujtohet se kisha veshur një xhemper me ngjyrë të çelur dhe, për të mos u dalluar gjaku, e mbylla jakën deri lart dhe vazhdova të ecja për të dalë jashtë. Megjithatë, sapo dolëm, u përballëm sërish me policinë, e cila na mbështeti pranë barakave të studenteve.
Jashtë ndodheshin automjetet e ndihmës së shpejtë, të cilat prisnin për të marrë të plagosurit, ndërsa një pjesë prej nesh, të mbështetur pranë murit, prisnim kamionët që do të na dërgonin në burgje. Ndërsa po shikoja drejt Konviktit nr. 4, për shkak të gjakderdhjes së madhe fillova të mos shihja qartë.
Pranë meje ndodhej një polic shqiptar. E pyeta nëse mund të shkoja në spital, sepse nuk ndihesha mirë. Ai më ndihmoi dhe më futi në një automjet të ndihmës së shpejtë, ku ndodheshin një motër medicinale dhe një vozitës. Gjatë rrugës për në spital fillova të bisedoja me motrën, e cila më tha me kujdes se vozitësi ishte serb.
Duhet të theksoj se, për shkak se babai im kishte qenë anëtar i NDSH-së dhe ishte dënuar me 15 vjet burg, unë përpiqesha me çdo kusht të mos bija në duart e policisë, pasi e dija se për mua mund të pasonin dënime edhe më të rënda.
Në hyrje të spitalit, pranë rrethit, mendova të hidhesha nga automjeti për të ikur, por motra medicinale më luti të mos e bëja këtë. Në fund u dakorduam që ajo të përpiqej të gjente një mënyrë për të më nxjerrë nga spitali pa rënë në duart e policisë. Emri i saj ishte Vjollca.
Pasi arritëm në spital, më kontrolloi mjeku dhe më vendosi fasha në hundë, por gjakderdhja ende nuk ndalej. Ai e kontrolloi edhe syrin tim të majtë dhe më tha se kisha shpëtuar për një milimetër, sepse – sipas tij – po të kishte qenë goditja me shufër vetëm një milimetër më afër, do të më kishte shkaktuar verbim.
Motra medicinale më kishte thënë të qëndroja aty ku më kishte lënë, sepse do të përpiqej të më ndihmonte të largohesha. Në atë moment në dhomë ndodheshin vetëm mjeku dhe një motër tjetër. Pas pak mjeku u largua dhe mbeta vetëm me motrën.
Ajo më pyeti për emrin dhe më sugjeroi vetë që të mos e jepja emrin tim të vërtetë. Unë i thashë që ta shkruante si të dëshironte. Spitali ku ndodhesha ishte spitali i gjinekologjisë, ndërsa sot në atë vend ndodhet kirurgjia. Me vendosjen e fashave dhe me kalimin e kohës, gjakderdhja filloi të ndalej dhe unë nisa të përmblidhesha.
Isha në katin e dytë të spitalit dhe u afrova te dritarja. Mendova se mund të largohesha prej andej, por në atë moment motra u afrua dhe më pyeti se çfarë po bëja. Ia tregova planin tim, ndërsa ajo më luti të mos hidhesha. Megjithatë, unë u kapa për llamarinën e ujit të shiut dhe, falë gjatësisë sime, arrita të hidhesha. Por kur rashë në tokë, u përplasa fort në beton dhe u lëndova rëndë në gjunjë.
Në atë moment më panë tri gra shtatzëna, të cilat u afruan menjëherë dhe më rrethuan, në mënyrë që të mos vërehesha nga policia, e cila ndodhej gjithandej. Ato më përcollën deri te barakat e punëtorëve, ku unë u përzjeva me ta për të mos rënë në sy të policisë.
Kur u takova me punëtorët, njëri prej tyre, që për fat të mirë atë ditë kishte blerë një faculetë, ma dha dhe madje më ndihmoi të pastroja sytë dhe fytyrën nga gjaku.
Ndërkohë filloi të binte errësira dhe unë po mendoja se si të largohesha për të shkuar në fshat. Vura re se nga ana e Uglareve dhe Fushë Kosovës kishte shumë polici, prandaj vendosa të drejtohesha drejt Babushit të Muhaxherëve, ku jetonte motra ime. U nisa në këmbë, duke kaluar pranë spitalit që sot është i neuropsikiatrisë, dhe dola në Veternik. Ishte errësirë, por për fat të mirë, për shkak se rruga ishte e dëmtuar, shoferi i autobusit më vuri re, u ndal dhe unë hipa në autobus nga dera e parë.
Kur pa gjendjen time, shoferi ngriti një udhëtar dhe më uli në ulësen e parë. Ai më luti të qëndroja i qetë dhe të mos vërehesha, sepse – sipas tij – në autobus ndodheshin dy shqiptarë spiunë që po kontrollonin pasagjerët.
Kur kaluam fshatin Llugagji, ai më tha se tani ishim më të qetë, sepse me gjasë ata persona kishin zbritur nga autobusi. Kur arritëm në hyrje të Babushit të Muhaxherëve, shoferi u ofrua të më çonte me autobus deri te shtëpia e motrës, por unë e falënderova dhe i thashë se do të vazhdoja vetë.
Te motra arrita rreth orës 22:15. Ajo, natyrisht, u trondit shumë kur më pa në atë gjendje. Ajo dhe familja e saj u përpoqën të më jepnin ndihmën e parë. Pastruam sytë dhe plagët, ndërsa unë kisha edhe temperaturë të lartë. Aty qëndrova për dy netë. Po atë natë, dhëndri im Hasani shkoi me makinë dhe e njoftoi familjen time se unë ndodhesha tek ata dhe se, pavarësisht plagëve, isha mirë.
Pas dy ditësh erdhi vëllai im Islami dhe u kthyem në shtëpi. Atje ishin mbledhur kushërinjtë dhe xhaxhallarët, dhe kur më panë në atë gjendje filluan të qanin. Mixha Avdi Sogojeva më qortoi në një farë mënyre. Ai tha se babai im Veseli (Boll Bali) kishte vuajtur shumë nëpër burgje dhe më pyeti pse edhe unë po përfshihesha në këto ngjarje. Megjithatë, po ky axhë në demonstratat e 1 dhe 2 prillit u plagos me tre plumba në këmbë, dhe historia e tij ishte në shumë aspekte e ngjashme me timen.
Rreth dy javë më vonë, duke mos dashur të humbisja ligjëratat, fillova të shkoja përsëri në fakultet. Megjithatë, plagët e mia vëreheshin qartë. Gjatë ligjëratës së profesor Enver Dukagjinit, në lëndën Ekologji Humane, profesori më vuri re. Pasi përfundoi ligjërata, më kërkoi të shkoja në kabinetin e tij dhe më pyeti se ku isha lënduar.
Unë i tregova se çfarë kishte ndodhur. Ai më tha:
“Të lutem, djali im, unë do të të arsyetoj për ligjëratat e humbura. Derisa të shërohesh, mos eja në fakultet.”
Më pas ai më tregoi edhe disa nga përjetimet e tij nga koha kur kishte qenë i burgosur në burgun famëkeq të Goli Otokut.
Pas këtij takimi, unë nuk i vazhdova studimet për një kohë, deri sa u shërova plotësisht.
Gjatë kësaj kohe u mbajtën disa mbledhje të Lidhjes Komuniste në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN). Për fat të keq, pati edhe profesorë që i dënuan demonstratat dhe që kërkonin masa ndëshkuese ndaj studentëve pjesëmarrës. Megjithatë, pasi rifillova ligjëratat, profesorët Asllan Pushka dhe Hivzi Islami më ftuan në kabinetin e tyre dhe më njoftuan se gjashtë studentë, mes tyre edhe unë, ndodheshim në listën për përjashtim nga Universiteti. Të dy profesorët më thanë qartë se, nëse ata do të largoheshin nga fakulteti, atëherë do të largoheshim edhe ne studentët. Kështu edhe ndodhi: falë përkrahjes së shumicës absolute të profesorëve, të cilët qëndruan në anën tonë, shumica e studentëve shpëtuam nga dënimet.
1, 2 dhe 3 Prilli
Pas ngjarjeve të marsit, studentët dolën në rrugë dhe sheshe, ndërsa në mesin e tyre kishte edhe nxënës. Në këto ditë pasoi një reagim i ashpër dhe brutal i forcave speciale të milicisë në Qendrën e Studentëve, ku shumë të rinj e të reja u rrahën në konvikte. Kjo situatë bëri që më 1 prill demonstratat të marrin karakter gjithëpopullor, duke bërë që revolta studentore të përhapet në tërë Kosovën.
Më 1 dhe 2 prill 1981, përveç në Prishtinë, demonstrata pati edhe në Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren dhe në shumë pjesë të tjera të Kosovës. Në këto protesta masive morën pjesë qindra mijëra nxënës, studentë, punëtorë dhe qytetarë shqiptarë, të cilët kërkonin barazi dhe të drejta politike.
Kërkesa kryesore ishte barazia e Kosovës me republikat e tjera të ish-RSFJ-së, e artikuluar me moton:
“Republikë – Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë.”
Kjo kërkesë mbeti slogani dhe synimi kryesor i demonstratave dhe lëvizjeve politike shqiptare nga viti 1981 deri në çlirimin e Kosovës në qershor 1999.
Në atë kohë kishte filluar edhe regjistrimi i popullsisë i vitit 1981. Ne studentët u caktuam nga Bashkësia Lokale e Bardhit të Madh të merrnim pjesë si anëtarë të grupeve për regjistrimin e popullsisë. Për fshatin Graboc i Poshtëm u caktuam unë dhe Ibrahim Berisha (sot mjek radiolog), ndërsa udhëheqës i grupit tonë ishte Ismajl Sogojeva, përgjegjës për regjistrimin e popullsisë në disa fshatra të komunës së Prishtinës.
Më 1 prill 1981 ishte paralajmëruar një takim me punëtorët e Minierës Sipërfaqësore të Bardhit të Madh, ku pritej të merrnin pjesë mbi 2000 punëtorë, si dhe përfaqësuesi i atëhershëm politik Xhavit Nimani. Kur e kuptuam se po mbahej ky tubim, vendosëm të bashkoheshim me protestën e punëtorëve. Ndërpremë punën e regjistrimit të popullsisë, ndërsa ndodheshim në terren në lagjen e Berishëve (Rranollëve), dhe u morëm vesh që të takoheshim te shtëpia e Ibrahimit, nga ku do të shkonim së bashku në protestë.
Unë mora nga shtëpia një copë të bardhë pëlhure (mbulesë jorgani). U takova me të fejuarën time Zaden, dhe së bashku me dy motrat e Ibrahimit, Buqen dhe Fatmirën, me lapsa me ngjyra filluam të shkruanim parulla. Njëra prej tyre, e frymëzuar nga demonstratat e 26 marsit, ishte:
“Jemi shqiptarë, e jo jugosllavë.”
Me këtë parullë u nisëm drejt vendit të protestës. Kur arritëm në hyrje të kombinatit – Miniera Sipërfaqësore e Bardhit të Madh, aty ishin tubuar mbi 2000 punëtorë, si dhe shumë studentë, ndër ta Osmon Maxhera, Ejup Breznica dhe të tjerë.
Meqë protesta ishte organizuar nga punëtorët e këtij kombinati, unë kërkova nga disa prej tyre që ta ngrinin parullën në një vend të dukshëm për turmën. Shumica gjetën arsye për të mos e bërë këtë. Ndërkohë, Ibrahimi ndodhej me një grup tjetër në anën tjetër të turmës, ku brohoritjet vazhdonin pa ndërprerë. Atëherë vendosa që ta ngrija vetë parullën, duke e vendosur lart mbi një buldozer-eskavator që ndodhej aty afër.
Parulla mori menjëherë jehonë të madhe. Turma filloi të brohoriste edhe parulla të tjera si:
“Duam Republikë!”,
“Republikë, Kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë!”,dhe shumë të tjera, madje edhe gjatë kohës kur po mbante fjalim Xhavit Nimani.
Kjo demonstratë e organizuar nga punëtorët ndikoi dukshëm në rritjen e vetëdijes së popullit, duke e bërë të qartë se këto ishin kërkesa të drejta dhe se, herët a vonë, do të arrihej fitorja.
Si pasojë e pjesëmarrjes sime në demonstratat e 26 marsit dhe të 1, 2 dhe 3 prillit 1981, si dhe për faktin se babai im kishte qenë i dënuar me 15 vjet burg në Nish si anëtar i NDSH-së, unë, edhe pse diplomova në vitin 1982 dhe mora titullin profesor, për një kohë të gjatë mbeta pa punë. Kam konkurruar pothuajse në çdo shkollë fillore dhe të mesme të komunës së Prishtinës, si në qytet ashtu edhe në fshatra, por pa sukses.
Pra, protestat që kishin filluar më 4 dhe 5 mars, kishin vazhduar më 11 mars dhe më 26 mars, u intensifikuan dhe morën përmasa të një kryengritjeje popullore më 1, 2 dhe 3 prill 1981.
Demonstratat e vitit 1981 mbeten një ngjarje historike e rëndësishme, një bazë e fuqishme e lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Gjatë protestave, forcat policore të RSFJ-së, përkatësisht të Serbisë, vranë 11 demonstrues. Në qendër të Prishtinës, në ballë të demonstratave të 2 prillit, ranë heroikisht maturantët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Më shumë se 150 persona u plagosën me armë zjarri – në mesin e tyre edhe axha im, Avdi Rexhep Sogojeva, i cili u plagos me tre plumba në këmbë. Përveç kësaj, dhjetëra mijëra pjesëmarrës në demonstrata, organizatorë dhe pjesëtarë të grupeve të Lëvizjes Atdhetare, u arrestuan dhe u dënuan nga autoritetet e kohës.
Lëvizja për Republikën e Kosovës, e cila mori hov me demonstratat e vitit 1981, u kurorëzua më vonë me fitoren e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qershor të vitit 1999, ndërsa Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Fillimisht, Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës i cilësoi demonstratat e 11 marsit si një revoltë me karakter social. Megjithatë, në mbledhjen e 28 marsit 1981, demonstratat e 11 dhe 26 marsit u shpallën “armiqësore”. Ndërkaq, më 2 prill 1981, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe të Kryesisë së Republikës së Serbisë, demonstratat u cilësuan si “destruktive”, me pretendimin se synonin destabilizimin e sistemit kushtetues, minimin e vëllazërim-bashkimit dhe përmbysjen e sistemit politik.
Një ditë më vonë, më 3 prill 1981, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, demonstratat u cilësuan si “irredentiste”, “nacionaliste”, madje edhe “kundërrevolucionare”.
Demonstratat e vitit 1981 përfaqësojnë një zgjim të popullit shqiptar nga një periudhë e gjatë shtypjeje dhe stagnimi. Ato vulosën rrugën që do të ndiqte populli shqiptar i Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësisë së plotë nga Serbia. Këto demonstrata përbëjnë një ngjarje me rëndësi të madhe historike dhe kombëtare, sepse ishin vazhdimësi e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, përpjekje që u kurorëzuan më vonë me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë kontekst historik, mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka pasur një rëndësi të veçantë për proceset që çuan drejt çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Personalisht, ndihem me shumë fat që i përkas kësaj gjenerate të lavdishme. I jam mirënjohës Zotit që më dha shëndetin, mendjen dhe guximin të jem pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Togun e IV, me komandant Dini (Abedin) Sogojeva, në Kompaninë e Dytë të Batalionit të Parë të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, deri në përfundimin e luftës. Sot mbaj me krenari statusin e Veteranit Luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shpresoj dhe besoj se do të vazhdojmë përpjekjet dhe punën për ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë, për të cilin janë flijuar shumë jetë njerëzish.
Raportet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në
Nëse nisemi nga raportet aktuale midis dy qeverive, mund të konstatojmë një përkeqësim të cilësisë së tyre. Kjo është konfirmuar nga përfaqësues të Qeverisë Amerikane, si dhe nga ata që përfaqësojnë shtetin amerikan në Kosovë. Përkeqësimi i raporteve vjen kryesisht si pasojë e moskoordinimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, kryesisht me SHBA-në, por edhe me Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të tij.
Identifikimi i problematikave
Raportet ndërkombëtare mund të ndikohen nga këto faktorë kryesorë:
Mungesa e koordinimit midis veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, që po çon në përkeqësim të raporteve.
Rëndësia e koordinimit, për të shmangur pasoja negative dhe për të ruajtur stabilitetin e politikës së jashtme të Kosovës.
Respekti ndaj aleatëve, duke përfshirë SHBA-në dhe BE-në, si element kyç për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të frytshëm.
Vlerësimi i kontributit ndërkombëtar, duke rikujtuar se SHBA-ja, BE-ja dhe shtetet e Evropës Perëndimore kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin mbështetje të madhe për shtetndërtimin e Kosovës.
Është e rëndësishme që qeveria dhe qytetarët e Kosovës të rikujtojnë vazhdimisht kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-së dhe të BE-së, si dhe të respektojnë partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë pjesë thelbësore e sigurisë dhe stabilitetit të vendit.
Bëj apel që në asnjë mënyrë mos të preken marrëdhëniet me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi ato janë jetike për Kosovën dhe për të gjithë popullin shqiptar.
Historia ime dhe rrëfimi i ngjarjeve të atyre kohëve të vështira në Kosovë na kujtojnë se duhet të çmojmë lirinë, të respektojmë kontributin e atyre që dhanë gjithçka, në mënyrë që ne sot të jetojmë pa frikë dhe të ndërtojmë të ardhmen me shpresë.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Autor: Prof. Dr. Sc. Hysen Sogojeva, Veteran Luftëtar i UÇK-së