Ndër pikat e rendit të ditës që u shqyrtuan sot në takimin Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të Suharekës ishte edhe trajtimi i mbrojtjes së pyjeve, për çka u tha se është problem mjaft shqetësues.
Kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, i cili e kryesoi këtë takim, ka thënë së ky problem duhet të zgjidhet, sepse aspak nuk janë të kënaqur me ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve.
“Kam vërejtur që ekziston një hallkë që po funksionon mes Policisë, rojeve të pyjeve dhe gjyqësisë. Madje ky problem si po duket po funksionon jo vetëm në Komunën tonë, por në tërë vendin”, tha ai.
Anëtarët e KKSB-së për këtë nxorën një konkluzion ku u tha që të rritet vigjilenca dhe bashkëpunimi mes Policisë, rojeve dhe gjyqësisë, të jenë më sy qelë të gjithë dhe të ndërprenë përgjithmonë këtë dukuri të keqe.
Anëtarët e KKSB-së kanë diskutuar edhe për Planin operativ për sezonin e pushimeve të mërgimtarëve dhe atë të dasmave. Edhe për këtë pikë u nxor konkluzioni se duhet që të shtohet kujdesi më shumë.
Policia dhe inspeksioni të tërheqin vërejtjen atyre që shkaktojnë zhurmë dhe muzikë me zë të lartë edhe pas orës 24.00.
Ndërsa si pikë tjetër ishte edhe vlerësimi i përgjithshëm i sigurisë në territorin e Komunës së Suharekës, për të cilën u tha se situata është e qetë, e sigurt dhe numri i rasteve që prishin imazhin nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar është në rënie edhe sa i përket aksidenteve në trafik po ashtu edhe rasteve të vjedhjeve ka rënie në të dyja rastet.