Policia e Kosovës ka njoftuar se me datë 26.12.2021, në ora 15:10, në stacionin policor në Graçanicë një person i gjinisë femrore ka raportuar se të njëjtën ditë rreth orës 15:00, e njëjta kishte vizituar varrezat e të afërmve të saj në fshatin Kishnicë dhe kur kishte arrit tek varrezat e njëjta ka konstatuar se disa varreza ishin të dëmtuara.
Policia e Kosovës menjëherë pas pranimit të informatës dhe raportimit të rastit, i është përgjigjur rastit menjëherë me seriozitetin më të madh dhe përveç hetuesve të stacionit policor në Graçanicë ka angazhuar edhe hetues të specializuar nga niveli rajonal për ndërmarrjen e masave profesionale hetimore për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë rast.
Në njoftim thuhet se ekipet kompetente hetimore përfshirë edhe ato të teknikës forenzike kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e ekzaminimit forenzik, ku edhe është evidentuar dëmi në disa varreza të komunitetit serb.
“Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast në drejtim të veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” neni 413, paragrafi 1”.
Policia e Kosovës përmes hetuesve më të specializuar është e përkushtuar në kompletimin e shpejtë dhe hetimin sa më profesional të këtij rasti, sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë rastin dhe sjelljen sa më parë para organeve të drejtësisë kryerësve të këtij akti të shëmtuar.
“Gjithashtu, inkurajojmë të gjithë qytetarët pa dallim, në rast të posedimit të ndonjë informate lidhur me këtë çështje, ta ndajnë me Policinë e Kosovës në mënyrë që rastet e tilla të zbulohen më shpejt dhe mos të përsëriten asnjëherë në të ardhmen”.