Dënohen me burgim me kusht dy të akuzuarit për korrupsion në rastin e njehsorëve “Kohler”

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 13:56 | Nga

Dy të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njehsorëve të rrymës “Kohler”, Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidemaj, janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht.

Aktgjykimi ndaj tyre, është shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i cili rast ka qenë i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

Vjollca Ajvazi, këtë vepër penale akuzohej se e ka kryer derisa ka qenë në pozitën e zyrtares së metrologjisë për madhësi elektrike në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), që funksionon në kuadër të Ministrisë për Tregti dhe Industri (MTI), kurse Avni Alidemaj, në cilësinë e drejtorit të shpërndarjes në kompaninë KEDS.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, ka deklaruar se dënimi ndaj tyre, nuk do të ekzekutohet nëse Ajvazi e Alidemaj, nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Kurse, janë liruar akuza nga për pikën dy të aktakuzës.

Ajvazi e Alidemaj, janë obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguajnë shumën prej 200 eurosh.

Derisa, të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest civil.

Në këtë rast, ka qenë e akuzuar edhe Drita Hamiti, por ndaj saj, gjykata ka marr aktgjykim lirues, pas në seancën e 22 majit, kur edhe ishte dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, prokurori Hivzi Bajraktari, kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Prokurori kishte thënë se në mungesë të provave është tërhequr nga ndjekja penale për të akuzuarën Drita Hamiti, derisa sipas tij, sa i përket dy të akuzuarve tjerë, Alidemaj dhe Ajvazi, prokurori kishte deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, me dëshmitë e dëshmitarëve dhe pas administrimit të provave, është vërtetuar se ata kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkoheshin.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 tetor 2015, ka ngritur aktakuzë kundër Vjollca Ajvazit dhe Drita Hamitit, në cilësinë e zyrtareve të Agjencisë së Metrologjisë dhe Avni Alidemajt, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it.

Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Sipas aktakuzës, dy zyrtaret Ajvazi dhe Hamiti, kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin dhe lejimit e tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, të tipit digjital “AEL. TF.04-1”.

Pjesë e akuzës kishte qenë edhe Blerim Sokoli, ndaj të cilit ka pushuar procedura penale, pas i njëjti nuk jeton më. Sokoli akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kishte pranuar ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik “Kohler”, të prodhuar në Turqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme