Dy motrat angleze, Alison dhe Fabiola Alman janë dënuar nga një gjykatë angleze me 11 vjet burg, pasi kishin tentuar të trafikonin në Britani, shtatë emigrantë shqiptarë, shkruajnë mediat angleze.
Sipas mediave angleze, ato po transportonin shqiptarët me një furgon tip karavan, i cili pas skanimit nga autoritetet kufitare rezultoi se në pjesën e pasme ndodheshin pesë persona, derisa pas kontrollit të detajuar u gjendën të fshehur në pjesën e sipërme edhe dy të tjerë, përcjell albinfo.ch.
Por, ato ishin të ‘detyruara’ të bënin këtë punë, pasi i kishin borxh një trafikanti shqiptar droge 4 mijë funte, dhe për të shlyer borxhin, duhej të sillnin në Angli, familjen e tij, duke përfshirë edhe një të mitur.
Shqiptarët kishin udhëtuar në kushte mjaft të rënda higjenike. Oficerët e Emigracionit pikasën erën e rëndë që vinte nga furgoni, por motrat e justifikuan atë me erën e djathit që kishin në frigoriferin e karavanit, e më pas me faktin që tualeti ishte i mbushur pasi njëra nga motrat hante shumë.
Ato ishin arrestuar në fillim të tetorit, vitin e kaluar, pasi mbërritën në Portsmouth në jug të Anglisë me tragetin “Brittany”, nga porti i Bilbaos në Spanjë.
Gjashtë shqiptarët u rikthyen në Bilbao të Spanjës, ndërsa i mituri është nën kujdesin e shtetit britanik, u tha në procesin gjyqësor.