Ish-udhëheqësi i politikave të promocionit turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Halil Bajrami, është dënuar me 1 vit burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.
Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, ish-menaxheri i Zyrës së Prokurimit në MTI, Burim Zekaj, është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“E kemi analizuar me shumë kujdes çështjen e Halil Bajrami, nuk ka qenë kontestuese që ai s’ka qenë menaxher me vendim të shkruar, por në vazhdimësi ka bërë nënshkrimin dhe për të kompletuar përgjegjësinë penale është nënshkrimi i fundit i urdhërpagesës 90.000 euro. Me këtë nënshkrim e ka legjitimuar pagesën prej 90.000 euro”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
Më 8 maj, ishte dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, ku Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar dënimin e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Halili Bajrami dhe Burim Zekaj.
Ky gjykim është zhvilluar lidhur me projektin “Navigatori i Qytetit”.
Prokurori Feti Tunuzliu, gjatë asaj seance kishte deklaruar se konsideron se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor e kanë vërtetuar gjendjen faktike si në dispozitiv.
Kurse, avokatët mbrojtës të të akuzuarve kishin kërkuar lirimin e tyre nga akuza.
Sipas aktakuzës, Halil Bajrami, në cilësinë e udhëheqësit të politikave dhe promocion turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si bartës i projektit “Navigatori i qytetit”. Prokuroria pretendon se ai ia kishte mundësuar Kompanisë “Ataq Consulting” nga Gjilani pagesën e tërësishme në shumë prej 113.013.00 euro, pagesë kjo nga kontrata “Furnizimi, instalimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve për navigator të qytetit”, e datës 1 tetor 2008.
Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse kjo kompani kishte përmbushur vetëm pjesërisht obligimin për furnizimin e MTI-së, me pajisjet e parapara në kontratë, vlera e të cilëve ishte në shumë prej 94.410.00 eurove, e njëjta ka pranuar paraprakisht paradhënien në shumë prej 22.602.60 euro, shumë kjo në dëm të MTI-së.
I pandehuri Burim Zekaj, sipas prokurorisë, në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MTI, duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, më 19 dhjetor 2008 ka lëshuar urdhër për pagesa me vlerë prej 90.410.00 euro për kompaninë “Ataq Consulting” në Gjilan.