Dënohet me 2 vite burg dhe trajtim psikiatrik Fitim Lladrovci për përkrahje të xhihadistëve

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Prishtinës, të premten, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për kryerjen e veprës penale “shtytja në kryerjen e veprave terroriste”, Fitim Lladrovci.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, i akuzuari Lladrovci është dënuar me 2 vite burgim, si dhe i është caktuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila do të mbetet në fuqi deri në plotësimin e rrethanave.

Ndërsa, në dënimin me burgim, gjykatësi Kurtaj tha se atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, e cila masë i është ndërprerë me aktvendim.

I akuzuari Lladrovci është liruar nga shpenzimet e procedurës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Lladrovcit për veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 të KPRK-së.

Ai akuzohet se ka bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyrë që prej vitit 2018, e deri më 24 prill 2019, përmes rrjetit social në Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve 45 fëmijë.

Në aktakuzë thuhet se ai komentuar “Me ndihmën e Allahut, bijtë e Unmetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet në Sri Lankë dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington dhe Neë York. Andaj, pritni se me të vërtetë edhe ne presim nga ju dhe Akidja e Hilafetit është në zemrat dhe mendjet tona, në realitet jemi gjithkund, çdo mysliman është projekt për Xhihadin në të ardhmen, Allahu ka premtuar se Xhihadi do të qëndroj deri në orën e fundit (kijametit) dhe besojnë në Allahu”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Lladrovci ka postuar video-incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar, duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste “ISIS”, përmes të cilave postime shpreh urrejtje ndaj pjesëtareve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që nga fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “Sulmues vetëvrasës”, ku dhe i ka komentuar me qëllim që të shtysë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme