Dënohet me 5 mijë euro gjobë ish-zyrtari komunal i akuzuar për korrupsion

Prishtinë | 19 Pri 2022 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Arbër Emini, ish-këshilltar i kryetarit të Komunës së Kllokotit, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë për akuzën se i shkaktoi dëm 4 mijë e 460 euro, operatorit ekonomik “NTP Blina”.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtit është bërë të martën nga gjyqtari Islam Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Emini për veprën penale “Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i është shqiptuar dënim me gjobë prej 5 mijë euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I dëmtuari Behar Qerimi për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palëve të pakënaqura, iu lejohet e drejta e ankimimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 4 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Arbër Emini thuhet se në janar 2018, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, si këshilltar i kryetarit të Komunës së Kllokotit, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe Komunën e Kllokotit dhe shkaktimit të dëmit operatorit ekonomik “NTP Blina”, ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

Në aktin akuzues thuhet se Emini shkon tek operatori ekonomik “NTP Blina” me seli në fshatin Pozheran dhe nga përfaqësuesi i të njëjtit, Behar Qerimi, kërkon inventarë për objektin e ri të Komunës.

Sipas aktakuzës, me të njëjtin arrin marrëveshje verbale dhe i premton se më vonë do të zbatohen procedurat ligjore dhe do të bëhet pagesa nga Komuna e Kllokotit. Tutje, thuhet se përfaqësuesi i operatorit ekonomik tërë inventarin e porositur e vendosë në objektin e ri të Komunës së Kllokotit, por se deri më tani, kjo e fundit nuk e ka kryer obligimin, pasi që nuk janë përfillur procedurat prokurimit dhe pagesa nuk është realizuar.

Në aktin akuzues thuhet se me këto veprime, operatorit ekonomik “NTP Blina” i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 4 mijë e 460 euro.

Për këtë, Emini akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila vepër dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme