Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim unik prej 2 vjet burgim dhe 15 mijë euro, Slobodan Radenkoviqin, i akuzuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan më 2023.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Medie Bytyqi pasi i akuzuari Radenkoviq ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale.
Sipas vendimit, për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” në bashkëkryerje u dënua me 2 vjet burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Kurse, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuari iu zëvendësua me 15 mijë euro gjobë.
Ndaj Radenkoviqit, Gjykata shpalli dënim unik me 2 vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë.
I akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 150 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Paraprakisht, prokurori Bekim Kodraliu ka elaboruar detajet e marrëveshjes për pranim fajësie, duke specifikuar dënimet e propozuara për dy veprat penale që i vihen në barrë Radenkoviqit.
Për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” prokurori Kodraliu propozoi dënim me burgim efektiv prej dy viteve dhe të përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14 janar 2026.
Ndërsa, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, prokurori ka propozuar dënim me burgim prej gjashtë muajsh, me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumën prej 15 mijë euro.
Gjithashtu, prokurori ka kërkuar që masa e paraburgimit për të akuzuarin të vazhdohet deri në plotfuqishmërinë dhe ekzekutimin e aktgjykimit të gjykatës./Betimi për Drejtësi