Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit V.G për veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”.
Si rrjedhojë, kjo gjykatë “e ka shpallur fajtor të akuzuarin sepse, me datë 18.06.2012, rreth orës 20:30, në magjistralen Prishtinë-Pejë në fshatin Sllatinë, në pozitën e pjesëtarëve të policisë së Kosovës-Njësia e Trafikut Rajonal – patrullë, në bashkëveprim me të pandehurin H. K kanë kërkuar në emër të ryshfetit shumën e të hollave prej 300 euro kurse kanë marrë ryshfet para në shumën prej 100 euro nga i dëmtuari F.H me ç’rast të njëjtit nuk i kanë shqiptuar tiketë ndëshkuese për shkak të kundërvajtjes së shkaktuar në komunikacion me çka ka kryer vepër penale në bashkëkryerje Marrja e ryshfetit nga neni 343 par.2 lidhur me nenin 23 të KPRK”.
Andaj, gjykata, në bazë të neneve përkatëse të KPRK-së, neneve përkatëse të KPP, i shqiptoi dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 (një) viti i cili nuk do të ekzekutohet, nëse brenda afatit prej 2 (dy) viteve nuk do të kryejë vepër të re penale.
“I akuzuari tjetër H.K gjendet në arrati, për të njëjtin është lëshuar urdhër arrest dhe është veçuar procedura ndaj tij”, ka theksuar Gjykata në një komunikatë për media.