Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës në aktgjykimin e shkallës së parë ka dënuar veteranin e luftës Radomir Susnjar me njëzet vjet burg për krime lufte kundër boshnjakëve në qytetin lindor të Vishegradit.
Në vitin 2017 ndaj Susnjar u ngrit aktakuzë për kryerjen krimeve të luftës në qytetin lindor boshnjak Vishegrad në vitin 1992, ku, sipas aktakuzës, 57 boshnjakë u bllokuan me forcë dhe u dogjën në një shtëpi.
Prokurorët pretendojnë se Susnjar, së bashku me anëtarët e tjerë të Ushtrisë së Republikës Srpska dhe njësitet paramilitare serbe të Bosnjës, kishin kapur në mënyrë të paligjshme, plaçkitur dhe burgosur civilë boshnjakë nga fshati Koritnik në një shtëpi në rrugën Pionirska të Vishegradit.
Shtëpia u dogj, ndërsa autorët qëlluan në të për të mos shpëtuar ata që u kapën brenda.
Sipas dokumenteve gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për Jugosllavinë (ICTY), rreth 3,000 boshnjakë u vranë në Vishegrad dhe zonat përreth saj gjatë konfliktit të viteve 1990 në Bosnjë – duke përfshirë qindra gra dhe fëmijë.
Gjykata dënoi Milan Lukic dhe Sredoje Lukic në vitin 2009 për krime lufte në Vishegrad, duke e gjetur Milan Lukic përgjegjës, ndër të tjera krime, edhe për vrasjen e civilëve boshnjakë në shtëpinë e djegur.