Gjykata e Gjilanit ka shpallur sot verdiktin ndaj ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja, dhe ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Kështu Ramadan Muja për pikën 1 të akuzës lirohet dhe shpallet i pafajshëm.
Për pikën 2 dhe 3 të akuzës Ramadan Muja dënohet me dënim unik me burgim prej 12 muajve me kush që brenda dy viteve mos të kryej vepër të re penale.
Ndërsa i akuzuari Minir Krasniqi u dënua me 6 muaj burgim me kusht që brenda një viti mos të kryej vepër tjetër penale.
Avni Ademaj, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që brenda 1 viti mos të kryej vepër të re penale.
Sadik Paçarizi u dënua me burgim prej 6 muajve me kusht që për një vit mos të kryej vepër të re penale.
Për pikën të katërt, është refuzuar akuza sepse është parashkruar vepra penale për këtë akuzë.
Në akuzën e përfaqësuar nga prokurorja e shtetit Fikrije Fejzulahu-Krasniqi thuhet se:
Ramadan Muja, akuzohej për katër pika të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Me të njëjtën akuzë, bashkë me kreun komunal të Prizrenit, ngarkohen edhe katër zyrtarë të kësaj komune.
Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj, Abdullah Tejeci, dhe Minir Krasniqi- drejtor i Drejtorisë së Administratës.
Avni Ademaj, Abdullah Tejeci në periudha të ndryshme kohore për të cilat akuzohen, drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prizrenit, ose ishin ushtrues detyre të saj.
Sipas akuzës, pesë të akuzuarit me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës, pa përfillur procedurat ligjore, raporton kallxo.com.
Kjo sipas aktakuzës ka ndodhur gjatë një periudhe kohore prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kur zyrtarët komunalë në këtë periudhë kanë kryer edhe një vepër tjetër penale, duke penguar edhe ekspertët tjerë të gjeodezisë për të dëshmuar nëpër seancat gjyqësore të të dëmtuarve nga këto keqpërdorime me toka, në së paku shtatë raste.
Për rastin e pengimit të punës së gjykatës emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur një reportazh më 11 shtator 2011. Vlera e disa prej tokave për të cilat zyrtarët komunalë prizrenas akuzoheshin se kanën keqpërdorë detyrën zyrtare kap shumën prej rreth 200,000 euro.
Rasti ndaj Mujës dhe të tjerëve ishte vendosur më parë nga Gjykata e Prizrenit
Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.
Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.
Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale. Ndaj Kadri Ukimerit tani është pushuar procedura penale pasi që i njëjti tashmë është i ndjerë.
Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.
Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.
Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jo-kompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.