Departamenti i Shtetit mbështet pjesëmarrjen e Tajvanit në sistemin e OKB-së

Prishtinë | 29 Tet 2021 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Tajvani është bërë një histori suksesi i një vendi demokratik. Modeli i tij mbështet transparencën, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit-vlera që përputhen me ato të Kombeve të Bashkuara (OKB). Tajvani është kritik për ekonominë globale të teknologjisë së lartë dhe një qendër e udhëtimit, e kulturës dhe e arsimit.

Ne jemi ndër shumë shtete anëtare të OKB-së që e shohin Tajvanin si një partner i çmuar dhe mik i besuar. Meqenëse komuniteti ndërkombëtar përballet me një numër të paprecedentë çështjesh komplekse dhe globale, është thelbësore që të gjitha palët e interesuara të ndihmojnë në adresimin e këtyre problemeve. Këtu përfshihen 24 milionë njerëz që jetojnë në Tajvan. Pjesëmarrja domethënëse e Tajvanit në sistemin e OKB-së nuk është një çështje politike, por një çështje pragmatike.

Fakti që Tajvani mori pjesë fuqishëm në disa agjenci të specializuara të OKB-së për shumicën dërrmuese të 50 viteve të fundit, është dëshmi e vlerës, të cilën vlerë komuniteti ndërkombëtar ia atribuon Tajvanit. Megjithatë, kohët e fundit, Tajvani nuk është lejuar të kontribuojë në përpjekjet e OKB-së. Pavarësisht dhjetëra miliona pasagjerëve që udhëtojnë çdo vit nëpër aeroportet e tij, Tajvani nuk u përfaqësua në asamblenë trevjeçare të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO). Edhe pse ne kemi shumë për të mësuar nga përgjigjja e klasit botëror të Tajvanit ndaj pandemisë COVID-19, Tajvani nuk ishte në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë.

Anëtarët e shoqërisë civile nga e gjithë bota angazhohen çdo ditë në aktivitete në OKB, por shkencëtarët e Tajvanit, ekspertët teknikë, biznesmenët, artistët, arsimtarët, studentët, avokatët e të drejtave të njeriut dhe të tjerë janë të bllokuar nga hyrja dhe pjesëmarrja në këto aktivitete vetëm për shkak se janë bartës të pasaportave tajvanezë. Përjashtimi i Tajvanit minon punën e rëndësishme të OKB-së dhe të organeve të lidhura me të, të cilat do të përfitonin shumë nga kontributet e tij. Ne duhet të shfrytëzojmë kontributet e të gjitha palëve të interesuara drejt zgjidhjes së sfidave tona të përbashkëta.

Kjo është arsyeja pse ne inkurajojmë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të bashkohen me ne në mbështetjen e pjesëmarrjes së fuqishme dhe kuptimplote të Tajvanit në të gjithë sistemin e OKB-së dhe në komunitetin ndërkombëtar, në përputhje me politikën tonë “një Kinë”, e cila udhëhiqet me Aktin e Marrëdhënieve të Tajvanit, me tri Komunikata të Përbashkëta dhe me Gjashtë Garanci.

Të ngjashme