Gjatë vitit 2016 ka vazhduar rritja e depozitave të qytetarëve në bankat në Kosovë. Sipas një raporti të Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK) në vitin 2016 depozitat arritën shumën në 2.8 miliardë euro, raporton Ekonomia Online.
Prej 2.8 miliardë euro të depozitave, janë të siguruara 610 milionë euro apo 21 për qind. Ndërsa, depozitat të pasiguruara janë 74 për qind, kurse depozita të përjashtuara janë rreth 5 për qind.
Drejtoresha Menaxhuese e FSDK-së, Violeta Arifi- Krasniqi, gjatë prezantimit të raportit tha se rritja e shumës së depozitave ka ardhur si rezultat i rritjes së premiumeve.
“Limiti i sigurimit është rritur nga 2 mijë në 4 mijë nëpër vite dhe konform kësaj është rritur edhe niveli i depozitave të siguruara. Kemi dy lloje të premiumeve: premium fillestar, i cili paguhet nga bankat me rastin e licencimit, anëtarësimit të parë dhe premium i vazhdueshëm që bazën e ka në depozita e siguruara dhe paguhet në baza mujore”, tha ajo.
“Për vitin 2016, FSDK-ja ka mbledhur 4 milionë euro në premium të vazhdueshme nga 9 banka anëtare. Ndërsa rritja në mes kuartaleve të premiumeve vjen si rezultat i rritjes së shumave depozitave të siguruara. Më 31 dhjetor 2016 bilanci i fondit ishte 30 milionë, ku 17.5 janë kontributet kapitale dhe 13 milionë surpluset e akumuluara nga premiumet”, tha Arifi.
Ajo gjithashtu shtoi se gjatë vitit 2016 nuk kanë mundur të investojnë për shkak të kushteve të pafavorshme në tregjet financiare të vendeve të Bashkimit Evropian.