Kryeministri Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur deputetëve që po akuzojnë për mostransparencë në procesin e dialogut.
Por, ai mohoi këto akuza duke thënë se ka bërë të gjitha gjërat e nevojshme për të qenë sa më transparent për takimet e tij me presidentin
“Nuk di qysh me ju thënë se kjo është e vërteta e plotë. Mund të ngrisni hipoteza, por s’mund t’i testoj. Unë i tregoj pozicionet shtetërore të Kosovës për dy tema specifike që i kemi diskutua. Nëse keni ndonjë problem me këto dy pozicione m’i thoni. Është kaq e thjeshtë”.
“Cili është pozicioni i Serbisë nuk flas në këtë foltore. Është e qartë që ne kemi pozicione ekstreme sepse në këtë dialog kemi hyrë për njohje reciproke. Kemi hyrë me kërkese të miqve tonë dhe që ka për qëllim njohjen dhe normalizimin e marrëdhënieve. S’ka asgjë përtej kësaj dhe ka qenë plotësisht transparent. Mos keni merak. Mos ngrini hipoteza. Mos ngritni asnjë konspiracion qysh po i ngritni, dialogun e udhëheq kryeministri”.
Hoti tha se marrja e njohjes reciproke nuk është parullë dhe se dialogun po e bën në kornizat që i lejon Kushtetuta.
“Po kërkoni transparencë të plotë. Si bëhet ndryshe transparenca? Edhe në seancë të mbyllur do t’ju them njëjtë. Ajo që kam thënë është e vërteta e plotë dhe s’ka asgjë përtej saj. Takohem me presidentin, ju raportoj juve, shkoj te Akademia dhe shoqëria civile. Mund të vijë edhe në grupet parlamentare. Tjetër gjë nuk di si me ju qas”.
Ndërkaq, për emërimin e Skënder Hysenit koordinator shtetëror për dialogun, Hoti tha se është plotësisht kompetencë e tij për një veprim të tillë.
“Unë jam përgjegjës për këtë dialog. Unë e koordinoj punën. Unë e kam emëruar Skënder Hysenin pa asnjë interferim. Ai më përgjigjet mua dhe unë e kam këtë kompetencë. Hyseni e ka përvojën më të madhe dhe asnjë herë s’ka pasë lëkundje për interesat shtetërore”.