Deputetet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë shënuar përvjetorin e fushatës ajrore te NATO-s nga Gllogjani. Ata kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule pranë varreve në Kompleksin Memorial, raporton Ekonomia Online.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se si grup parlamentar kanë vendosur që përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ta shënojnë nga Gllogjani.
“Sot Grupi ynë parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka zgjedhur që shënimin e 24 Marsit që është një ditë që do të jetë e gravuar dhe do të kujtohet gjatë gjithë historisë së popullit tonë, kemi vendosur qe prononcimin tonë si grup parlamentar ta bëjmë këtu nga Gllogjani, një vendi historik, një vend ku prehen burrat e grat që dhanë jetën e tyre dhe dëshmuan që liria është e padiskutueshme për popullin e vendit tonë”.
“Grupi ynë parlamentar nuk ka mundur të jetë në seancë sepse jemi në këtë ngjarje dhe këtë ngjarje po ashtu e kemi në mbledhje të kryesisë dhe po ashtu kemi një vlerësim të lartë për kontributin e NATO-së si datë e rëndësishme 24 Marsi, por njëkohësisht për të vlerësuar lartë luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovë, Epopenë e Dukagjinit dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, tha ai.