Deputetët e pozitës në seancën e sotme plenare gjatë diskutimit për buxhetin kanë lavdëruar punën e ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe atij të Shëndetësisë, Uran Ismaili, raporton Ekonomia Online.
Deputetët thonë se për herë të parë ka rritje buxhetore, punësim dhe reforma në shëndetësi.
Deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj ka lavdëruar ministrin Hamza dhe ministrit Ismaili që shëndetësia këtë vit ka qenë prioritet për qeverinë.
“Shëndetësia u bë prioritet i qeverisë dhe kjo ka reflektuar me të hyrat e buxhetit. Ndarja e barnave esenciale 20.3% janë rritur për këtë vit”, tha Hadergjonaj.
Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi tha se buxheti i vendit ka dukshëm më shumë përparim se sa viti paraprak.
“Investime kapitale 770 milionë euro, mallrat dhe shërbimet 49% në rritje me vitin paraprak”, tha ai.
Kuçi tha se opozita nuk po bëhet realiste dhe nuk po i përmend anët pozitive të rritjes së buxhetit, por vetëm anët negative.
“Opozita, rritjen prej 16% për shëndetësi nuk e përmenden si element pozitiv, asnjëri nuk përmendi nga opozita si diçka të mirë që ka, buxheti është 36% më i madh se në 2017-ten ose nëse nuk u pëlqen përqindja me thënë 6 milionë euro më shumë”, tha Kuçi.
Ai tha se edhe të punësuar ka më shumë se sa vitet e kaluara.
“Këtë vit janë 18 mijë e 700 të punësuar më shumë, kjo nuk ka ndodh në asnjë periudhë kohore te viteve të kaluara”, tha ai.
Deputeti Enver Hoti nga NISMA, ditën e sotme e cilësoi si ditë të veçantë për shkak të ndarjes buxhetore të vitit 2019.
“Për herë të parë e kemi një buxhet me një rritje të tillë që do të ndikoj në ekonominë e vendit”, tha Hoti.
Edhe Hoti tha se opozita po i mbyll sytë ndaj hapave pozitiv që janë bërë në buxhetin e Kosovës.
“Si nuk iu ra në sy kolegëve të mi nga opozita rritja prej 80% në agjencinë e punësimit”, tha ai.