Anëtarët e Parlamentit Gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, kanë mbajtur konferencë për medie lidhur me vizitën e ditës së sotme në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Deputeti gjerman, Christian Schmidt, tha se tani është koha për formimin e qeverisë dhe jo për zgjedhjen e Presidentit.
“Është koha për formimin e Qeverisë dhe jo për zgjedhjen e Presidentit. Ne nuk jemi për herë të parë në Kosovë dhe koha që kemi zgjedhur për ta vizatuar Kosovën është shumë e rëndësishme dhe kemi shumë për të bërë para Krishtlindjeve”, tha Schmidt.
“Pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën në Kosovë ne mendojmë që kjo është java përfundimtare dhe periudha që nisëm tani është e rëndësishme për krijimin e qeverisë. Për ne është në interes tonin që të bëjmë të qartë zhvillimi në Kosovë është me rëndësi të madhe dhe perspektiva e Kosovës për integrimin evropian është me rëndësi të madhe”.
“Ne nuk jemi këtu për t’i zhvilluar bisedimet rreth koalicionit. Ne jemi zhvilluar takime me partnerët e LDK-së dhe janë persona që ne i njohim”, shtoi Schmidt.
Ai tha se nevojitet besimi ndërmjet palëve dhe se në këtë rast nuk është e nevojshme të krijohet një “martesë dashurie”.
“Sa i përket bisedimeve për formimin e qeverisë në këtë rast nuk është e thënë të krijohet një martesë dashurie. Ajo që ka rëndësi është që të ketë besim ndërmjet palëve. Me ata që kemi biseduar jemi të gjithë me një mendim që është e rëndësishme që të ketë një qeveri. Më e rëndësishmja në politikë është që të ketë besim. Deri në konsultimin e parlamentit kanë mbet edhe një 1 javë kohë dhe pritje jona është dhe kur ata bisedojnë ndërmjet vete mund të ketë zgjidhje”, tha Schmidt, raporton EO.
Deputeti i Bundestagut, Peter Beyer, njëherit raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës, tha se për të mirën e qytetarëve duhet sa më shpejt të formohet Qeveria, raporton EO.
Ai tha se nëse ka besim të ndërsjellë ndërmjet VV-së dhe LDK-së atëherë ata nuk duhet të merren me gjëra të vogla.
“Të gjithë politikanë e kuptojnë rëndësinë që kanë pas zgjedhjeve për themelimin e qeverisë dhe për të themeluar një qeveri stabile. Prandaj koha po mbaron dhe nuk është koha për negociata. Nuk kemi ardhur të ndërhyjmë por kemi ardhur t’i dërgojmë disa porosi. Nuk duhet të futen negociata në koalicion dhe ne mendojmë që ka vullnet politik për ta formuar qeverinë sa më shpejt për të mirën e qytetarëve. Nëse ka besim të ndërsjellë atëherë nuk duhet të merren me gjëra të vogla. Asnjëri nuk mund ta dobësojë tjetrin sepse kanë qasje profesionale”.
Delegacioni i Bundestagut gjerman me anëtarët Peter Beyer dhe Christian Schmidt kanë shkuar në mëngjesin e sotëm në zyrat e LDK-së ku e kanë takuar të parin e kësaj partie Isa Mustafën.
Një takim të ngjashëm ata e kanë pasur mbrëmë edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin në rezidencën gjermane.