Një delegacion i Kuvendit i udhëhequr nga deputetja Njomza Emini, kryetare e Komisionit për Integrime Evropian, i shoqëruar nga Slobodan Petroviq dhe Fatmir Xhelili, kanë zhvilluar disa takime të ndryshme në Parlamentin e Turqisë në Ankara.
Ky delegacion është pritur nga Komisioni homolog, përkatësisht nga Komisioni për Harmonizim me Bashkimin Evropian, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e dy komisioneve parlamentare dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet tyre.
Ndër tjerash Mehmet Kasim Gulpinar, kryetar i këtij komisioni ka shprehur interesimin për rritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit ndërmjet dy Komisioneve dhe parlamenteve.
Ndërkaq Njomza Emini, ka potencuar faktin se ky komision parlamentar përveç bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dëshiron që të ketë bashkëpunim të mirë edhe me vendet tjera të cilat janë në procesin e integrimit evropian.
Delegacioni po ashtu është pritur nga Grupi i Miqësisë Ndërparlamentar Turqi-Kosovë, Zeyif Asllan, kryetar i grupit, Metin Gundogdu dhe disa anëtarë tjerë, me të cilët u diskutua lidhur me bashkëpunimin në mes të dy vendeve, Kosovës dhe Turqisë për fusha të ndryshme, siç janë; bashkëpunimi ekonomik, tregtar, edukimi, turizmi, etj.
Ky delegacion është takuar dhe me zv.ministrin e Ministrisë për Çështje të BE-së, Ali Shahin, me të cilin kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin në mes të dy vendeve në të ardhmen në procesin e integrimit evropian të dy vendeve, pra të Kosovës dhe Turqisë si një interes i përbashkët.
Gjithashtu, delegacioni, ka vizituar Qendrën Kulturore Sami Frashëri në Ankara. Ndërsa delegacioni është shoqëruar dhe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, përkatësisht nga Ambasadori Avni Spahiu.